Në Komision kalon projektligji për heqjen e homologimit, opozita: Kushtëzimet për regjistrim antikushtetuese

Në Komision kalon projektligji për heqjen e homologimit, opozita: Kushtëzimet për regjistrim antikushtetuese

Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit me 7 vota për ka miratuar Raportin me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete që heq detyrimin për homologim të veturave të reja dhe të përdorura që vijnë nga shtetet e BE-së, Zvicra dhe Norvegjia.

Ani pse nuk mori pjesë në votim, deputeti nga PDK-ja Hajdar Beqa tha se ligji bazik për Automjetet, ka nevojë për shumë ndryshime pasi sipas tij disa nene bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Deputeti Beqa tha po ashtu është në interes të qytetarëve ndryshimi i nenit 43 që ka të bëjë me kushtëzimet.

“Konsideroj se ky ligj ka nevojë për shumë ndryshime dhe bie në shumë pika në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj, ne si Komision  duhet të bëjmë disa ndryshime më të gjëra. Disa pika janë në dëm dhe barrë e qytetarëve sa i përket ligjit bazik. Pra, mendoj se duhet të hiqet neni 43 i kushtëzimeve për pagesën e gjobave, për regjistrim… Te ndërrimi i pronarëve duhet edhe këtë ta ndryshojmë, në bazë të statistikave zyrtare diku 95 mijë pronarë e bëjnë ndryshimin e pronarit. Kjo nuk ka asnjë logjikë dhe nuk ka askund në botë. këtu qytetarët i dëmtojmë diku rreth 15 milionë euro si qeveri e Kosovës brenda vitit. ka nevojë për shumë ndryshime, dhe nuk e di pse po ngutet sponsorizuesi”, theksoi Beqa.


Kryetari i Komisionit Adnan Rrustemi theksoi se janë vetëm dy amendamente teknike, sepse edhe projektligji ka katër nene dhe si komision vlerëson nëse projektligji dhe amendamentet e propozuara janë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin e zbatueshëm.

Derisa theksoi se ndryshimet e bëra janë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën.

“Ky projektligj për nga përmbajtja nuk bie mbi fushën e veprimtarisë së Komisionit për legjislacion, ne kemi këtu ashtu siç parashihet me Rregulloren e Kuvendit për të vlerësuar vetëm bazën ligjore dhe kushtetuese të amendamenteve dhe të projektligjit. por, jo për të diskutuar përmbajtjen. Këtë e ka në fushë veprimtari Komisioni për Bujqësi”, theksoi Rrustemi.

Projektligji për ndryshim plotësim të Ligjit për automjete javë më parë është miratuar në lexim të parë nga Kuvendi i Kosovës.

Lexo edhe

Video