Në Hagë po dëgjohet dëshmitari i tretë në rastin e Salih Mustafës

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjykimi i ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, nën pretendimin për kryerje të krimeve të luftës. Aty po dëgjohet dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili po dëshmon nën masa mbrojtëse të sigurisë, identiteti i të cilit nuk bëhet publik.

Pas përfundimit të pyetjeve të ZPS-së dje, dëshmitari Ë01679 po u përgjigjet sot pyetjeve të mbrojtëses së viktimave, Anni Pues.

“Pasojat që sot i barti unë janë psikike, nuk mundem me flejtë, këto përjetime këto gjëra shumë të rënda, shumë të tmerrshme që i barti edhe sot dhe shpesh herë po duhet me ndejt me qetësues ose diçka[…]Një film me këqyr ose diçka me luftë, unë kur shkoj në mbrëmje me flejtë unë në gjysmë nate bërtas, falë familjes që e kam dhe më kupton, i ka mësu këta gjëra tash, në gjumë bërtas, zgjohem djersitëm shumë, lloj-lloj gjërash, mi kujton këto zërat e njerëzve, këto sene mi kthen krejt”, ka thënë dëshmitari derisa është pyetur nga avokatja Anni Pues.


Salih Mustafa po merr pjesë në këtë seancë përmes video-lidhjes.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.