Ndërroi jetë patrioti Rafi Halili

Ndërroi jetë patrioti Rafi Halili

Sot, pas një sëmundje të rëndë, në moshën 72-vjeçare, ndërroi jetë atdhetari, patrioti e veprimtari i përkushtuar i çështjes kombëtare Rafi Halili.

I ndjeri tërë jetën e tij, që nga rinia e hershme, e vuri në shërbim të luftës për çlirim e bashkim kombëtar. Si i ri u betua para flamurit se tërë jetën do ia kushtojë kauzës së shenjtë të luftës për çlirim e bashkim kombëtar, betim të cilit i mbeti besnik deri në frymën e fundit të jetës së tij.

Edhe pse shumë i ri për nga mosha, në prag të festës së flamurit kombëtar, 28 Nëntor 1967, derisa ishte duke ndjekur mësimet në vitin e dytë në gjimnazin e Tetovës, Rafi Halili vizatoi në një fletë vizatimi flamurin kombëtar dhe me një guxim të pashoq, e ngjiti në tabelën në hyrje të fabrikës së tekstilit në Tetovë, ku qëndroi për një javë. Për këtë veprim Rafiu torturohet dhe dënohet me 20 ditë burgim për të mitur.

Më 22 nëntor 1968 ishte nga pjesëmarrësit e parë dhe më të rinj për nga mosha në demonstratën e madhe të Tetovës, për çka edhe burgoset dhe torturohet barbarisht.


Më 1972 arrestohet për herën e tretë, si njëri nga themeluesit e organizatës së parë politiko-ushtarake në trojet e pushtuara shqiptare nën ish-Jugosllavi, “Kushtrimi i lirisë”, kur ndaj tij u ushtruan torturat nga më çnjerëzore, për ta dënuar pastaj me 7 vite burg të rëndë.

Natën në mes të 6 dhe 7 qershorit 1982, pas një kohe të gjatë të qëndrimit dhe veprimit në ilegalitet të thellë, Rafi Halili rrethohet nga njësitë speciale të policisë së Maqedonisë dhe në një luftë të pabarabartë plagoset rëndë dhe ashtu i plagosur torturohet çmendurisht. Kësaj radhe Rafiun e dënuan me 20 vite burg të rëndë.

Edhe pse me shëndet të rënduar ai jo vetëm përkrahu luftën çlirimtare në Kosovë dhe në Kosovën Lindore, por edhe i ndihmoi ato pa rezerva.

Shpërthimi i kryengritjes çlirimtare në viset shqiptare nën Maqedoni e gjeti Rafiun me shëndet shumë të rënduar, por megjithatë ai mori rrugën e vështirë të maleve të Sharrit, ku krismat e pushkëve paralajmëronin afrimin e ditës së shumëpritur të bashkimit kombëtar.

Lexo edhe

Video