Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Nderohet personeli mjekësor për luftën ndaj pandemisë

Nderohet personeli mjekësor për luftën ndaj pandemisë

Oda e Mjekëve të Kosovës sot shprehu mirënjohje për punën e mjekëve të institucioneve të ndryshme shëndetësore gjatë pandemisë si dhe kontributin ndër vite të mjekëve të cilët janë pensionuar së fundmi duke iu ndarë dekorata.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, në fjalën e tij para një numri të kufizuar të të ftuarve deklaroi se kishin vendosur që të nderonin të gjithë personelin mjekësor duke iu ndarë dekorata institucioneve dhe jo emrave të përveçëm, pasi kështu do të nderohet i gjithë personeli.

Sipas tij, komisioni ka nderuar edhe institucionet e tjera jo shëndetësore por që njëjtë sikurse mjekët kanë qenë në krye të detyrës gjatë pandemisë.

“Vendimi është marrë që këto dekorata për luftën e pandërprerë dhe pa kursim me pandeminë t’ju jepet punëtorëve të klinikave gjegjëse, ndoshta me këtë mënyrë kemi hyrë në hak më pak se po të shkonim në mënyrë individuale. … Në të vërtetë kemi pasur një mendim ose një kritikë se (mirënjohjet) po iu ndahen drejtorëve (të klinikave), jo, ju jeni përfaqësues të klinikave, dhe këto dekorata siç shkruan në to, i ndahen mjekëve, infermierëve dhe punëtorëve të tjerë të asaj klinike”, deklaroi Sejdiu

Në mesin e institucioneve që sot u nderuan ishin Policia e Kosovës, Qendra Studentore, Qendra Operative Emergjente në Ministrinë e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Klinika Infektive, Klinika e Anestezionit, Forca e Sigurisë së Kosovës, Klinika e Neurologjisë, Klinika e Biokimisë, Klinika e Kardiologjisë, Klinika Endokrinologjisë, Klinika Radiologjisë dhe Klinika Fiziatrisë me Rehabilitim Fizikal.


Në emër të këtyre institucioneve foli doktoresha infektologe Lendita Ajazaj-Berisha, që u pajtua me idenë që mirënjohjet nuk janë ndarë për individë por për institucione, pasi sipas saj, në luftën me pandeminë kanë qenë të përfshirë të gjithë.

Ajazaj-Berisha tha se mjekët, sidomos ata të Klinikës Infektive, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme 24 orë në ditë ne çdo ditë të javës duke iu dalë në ndihmë të gjithë pacientëve që kanë pasur nevojë për shërbime në këtë klinikë.

“Ne të gjithë e dimë që Klinika Infektive ka pasur barrën kryesore nga fillimi i pandemisë, nga 8 shkurti kur kanë filluar rastet e para të dyshimta, në tremujorin e parë ka qenë klinika e vetme e cila është marrë me COVID-19 me rastet e dyshimta dhe rastet të cilat kanë qenë pozitive. Mirëpo, për shkak të rritjes së numrit të rasteve pastaj kanë filluar edhe klinikat e tjera. Ka qenë një punë jashtëzakonisht e vështirë, një sfidë për të gjithë personelin e Klinikës Infektive, për arsye se kur të gjithë janë frikësuar, ndoshta edhe prej anëtarëve të familjes, ne në ato momente jemi ndarë prej të gjithë anëtarëve të familjes, kemi qëndruar në pjesën me të madhe të kohës vetëm dhe kemi qenë në shërbim të qytetarëve 24 orë pandërprerë në punë në Klinikën Infektive duke mos u kursyer për asnjë moment, në asnjë kohë, as ditën, as natën”, deklaroi Ajazaj-Berisha.

Oda e Mjekëve iu ndau mirënjohje edhe mjekëve të cilët janë pensionuar gjatë vitit të kaluar si Dr. Adem Nura, Dr. Mirsada Behluli, Dr. Njazi Gashi, Dr. Ramadan Kryeziu, Dr. Rexhep Manaj, Dr. Vjollca Hadri, Dr. Iljaz Bunjaku dhe Dr. Hajrie Hysenaj.

Lexo edhe

Video

error: