Ndahet nga jeta drejtori menaxhues i Telegrafit dhe artisti Arlind Gjikolli

Ndahet nga jeta drejtori menaxhues i Telegrafit dhe artisti Arlind Gjikolli

Në moshën 41-vjeçare, ka ndërruar jetë, artisti  Arlind Gjikolli – Gjikla.


Gjikla, siç e quanin të gjithë të afërmit dhe miqtë, ishte themeluesi dhe shtylla krijuese e grupit WNC nga Peja, që zhanrin e muzikës rep në Kosovë e çoi në një stad më të zhvilluar, qoftë me tekste të angazhuara, me muzikë apo me interpretim. “Çka kom pasë”, “Qikat e mira”, “Për ty” …  janë disa nga këngët e këtij grupi, që edhe sot dëgjohen dhe frymëzojnë gjeneratat e reja. Pas grupit WNC, Gjikla ka vazhduar edhe solo-karrierën, me tekste që kundërshtonin anomalitë e shoqërisë së Kosovës.

Mjafton të përmendet këtu kënga “Juda”, që godet amoralitetin në politikë, tjetërsimin e individit dhe humbjen e perspektivës dhe të shpresës. Apo, opinionin kritik, ku ndër të tjera thotë: “Pikërisht pse ti populli jem i dashtun nuk angazhohesh për shumë, as nuk merr shumë … mbetesh me pak e kënaqesh me pak”. I tillë ka qenë Gjikla, opozitë e përhershme e së keqes dhe injorancës dhe një humanist që donte të mirën e përgjithshme të shoqërisë. Ata që patën fatin ta njohin, do ta kujtojnë përherë si person të buzëqeshur, të afërt, të dijshëm dhe mbi të gjitha si njeri të sakrificave, tek i cili secili mund të llogariste për këshilla dhe për ndihmë. Po për këtë, largimi nga kjo botë i njeriut të vlerave, është humbje e madhe jo vetëm për familjarët dhe për miqtë. Në dhjetë vjetët e fundit, Gjikla ishte COO (Drejtor Menaxhues) i Telegrafit.

Lexo edhe

Video