Ndahen edhe mbi 2.2 milionë euro për RTK-në

Përkundër disa kritikave nga deputetët e pozitës për mos realizimin e planit të të hyrave nga marketingu, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar raportin e shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për periudhën janar-mars 2022.

Me kërkesë të Bordit të këtij mediumi publik, komisioni në fjalë ka miratuar edhe Programin e Shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës për periudhën prill-qershor 2022 në shumën 2 milionë e 240 mijë euro.

Për raportin e shpenzimeve, drejtues të mediumit publik kanë thënë se gjatë kësaj periudhe kanë shpenzuar 93 për qind të buxhetit total prej 2 milionë e 240 mijë eurosh.

Për paga dhe shtesa kanë shpenzimet ishin 2 milionë e 177 mijë e 907 euro që përbën 92 për qind të pagesave të përgjithshme.

Kryetari i Bordit të RTK-së Besnik Boletini gjatë raportimit theksoi se për dallim prej viteve të kaluara, në këtë periudhë ka pasur kursime të mjeteve buxhetore dhe një performancë më të mirë të RTK-së.

Ai ka thënë se kanë ulur shpenzimet për periudhën janar-mars të këtij viti dhe ka kërkuar që gjatë rishikimit të Buxhetit të Kosovës të ndahen mjete shtesë për RTK-në.

“Në këtë fazë konsiderojmë që kemi rreth 79 mijë euro kursime në muaj. Gjithashtu kemi bërë ulje të shpenzimeve në masë të madhe ku nuk kemi asnjë shpenzim për reprezentacion, për dallim prej herëve të kaluara. Po ashtu, kemi bërë edhe tkurrje të shpenzimeve tjera të vogla si përdorimi i veturave zyrtare brenda një perimetri prej 1 km. Disa menaxherë që kanë qenë me paga shumë të larta janë risistemuar dhe është bërë një ulje e pagës. Gjatë këtij tremujori jemi përballur me disa vështirësi, kryesore ka qenë trokitja në derë nga përmbaruesit privat. Ne kemi rreth 1.6 milionë euro borxhe dhe disa prej përmbaruesve tashmë kanë ardhur t’i kërkojnë paratë, si dhe kërcënimet”, theksoi Boletini.

Ndërsa, kryetari i Komisionit Armend Muja vlerësoi se pas një dekade për herë të parë transmetuesi publik nuk ka operuar me humbje në tremujorin e parë 2022.

“Po thuajse që nga 2012 ka pasur minus, a mund të konstatojmë se në tremujorin e parë 2022, është hera e parë pas një dekade që RTK-ja nuk operon me humbje…”, theksoi ai.

Duke iu përgjigjur deputetes Duda Balje mbi kontratat me shërbime të veçanta, Boletini theksoi se ka ende punëtorë në RTK me kontratë mbi vepër, sipas tij janë dy kontrata të tilla.

“Sa i përket kontratave për shërbime, ka ende. Por kontrata për shërbime që konsiderohen të rregullt nuk ka dhe nuk do të ketë. Aktualisht i kemi dy kontrata të tilla, janë dy prej prezantuesve të lajmeve Mustafë Muçaj dhe Fadile Kryeziu. Pikërisht për këto pozicione vlejnë kontratat për shërbime, sepse ata vijnë një herë ose dy herë në javë japin lajmet dhe kanë një orë punë”, tha Boletini.

Sa i përket borxheve të RTK-së, kryetari i Komisionit Armend Muja përmendi disa prej borxheve për dreka dhe darka, i cili pati një pyetje interesante: “S’e di, a ka mundësi me ngrenë bukë borxh, a? Kjo është tepër keq”.


“Një borxh që zakonisht më vjen në raport është ndaj një restoranti, 871 euro. Logjikisht nuk hyhet borxh të hahet peshk, kjo veç në RTK… Liburnia 2500 euro, prapë borxh, s’e di a ka mundësi me ngrënë bukë borxh a, një institucion publik? Kjo po duket mjaft keq”, tha Muja.

Për këtë, Muja mori një përgjigje nga kryetari Boletini, dhe theksoi se kjo është një abuzim që ka ndodhur me buxhetin e RTK-së ndër vite.

“Këto shpenzimet, besoj që s’do të ndodhin më, dhe çështjet e reprezentacionit dhe drekave e darkave nëpër restorantet e peshqve dhe të tjera, s’do të ndodhin më. Kjo është një prej formave të abuzimit me buxhetin e RTK-së që ka ndodhur ndër vite. Kështu që kjo nuk do të ndodhë më”, tha Boletini.

Ndërkaq, në këtë raportim zyrtari financiar në RTK, Halil Brahimaj tha se vetëm 26 për qind e planit të të hyrave nga marketingu është realizuar.

“Për këtë tremujor kanë 276 mijë euro dhe i kemi realizuar vetëm 26 për qind”, tha Bajrami.

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Visar Korenica, e quajti “huq” një planifikim të tillë.

“Ju prej 270 mijë euro i keni realizuar 70 mijë. Unë konsideroj se kjo është një huqje jashtëzakonisht e madhe e të hyrave, kështu që do të duhej të synohej deri 80-90 për qind, sepse nuk është që nuk keni mjete dhe nuk keni njerëz. Ideja është që ta realizoni planifikimin që e bëni përmes buxhetit, sepse ato janë të hyra që ju pastaj synoni shpenzime të caktuara”, tha Korenica.

Përveç kësaj deputeti Korenica ngriti edhe çështjen e një lëshimi në mediumin publik më 1 prill.  Ai ka pyetur drejtuesit e televizionit publik se a është e vërtetë dhe a kanë marrë masa për lajmin e rremë të transmetuar në RTK më 1 prill për emërimin e Edi Ramës në krye të NATO-s.

“Lajmi i rremë më 1 prill, Edi Rama në krye të NATO-s, çka keni ndërmarrë për me i parandaluar rastet e tilla?”, tha Korencia.

Për këtë, kryetari i Bordit të RTK-së Boletini pranoi se ka ndodhur një lëshim i tillë dhe tha se ka kërkuar të merren masa, ashtu siç janë marrë masa ndaj një postimi që ka qenë javë më parë i publikuar në ueb-sajtin e RTK-së, dhe për këtë arsye është suspenduar kryeredaktori i ueb-sajtit.

“Kur ka ndodhur rasti (i publikimit për presidenten Vjosa Osmani), unë i kam drejtuar një e-mail ushtruesit të detyrës së drejtorit dhe i kam kërkuar që të merren masa konform rregulloreve në fuqi dhe që rastet e tilla të sanksionohen me një standard të njëjtë. Pra, edhe në rastin e tillë (në televizion) është vepruar në mënyrë të njëjtë. Kështu që ky është një standard i ri i vendosur në RTK, është keq dhe skandaloze çka ka ndodhur, por masat janë marrë dhe do të merren në vazhdimësi për çfarë do lloj shkeljesh që do ët ndodhin në RTK”, u shpreh Boletini.

Për këtë lëshim, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, u tha se ka pasur një dorëheqje nga ushtruesi i detyrës së kryeredaktorit.

Ndërkaq, shqyrtimi i Raportit vjetor financiar i Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021, është shtyrë për javën e ardhshme.

Lexo edhe

Video