Naser Pajazitaj dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Naser Pajazitaj dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit Naser Pajazitaj shtetas i Republikës së Kosovës, i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë për vrasjen e Donjeta Pajazitajt si dhe për veprat penale të mbajtjes më pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.

Kryetari i Trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, Ibrahim Idrizi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave, dëgjimit të palëve, të pandehurin Naser Pajazitaj e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim me burgim të përjetshëm.

I pandehuri Naser Pajazitaj akuzohet se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit të Deçanit, në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, duke qenë edhe me parë i dënuar për vepër penale të vrasjes së rëndë, me dashje dhe me armë të tipit të panjohur, në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta, ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj, nga po i njëjti fshat.


Viktima në ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë, në këmbë, nëpër rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet në afërsi të shtëpisë së N.J., kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij, i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e me pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit, dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” e privon nga jeta me armë duke shtënë dy herë në kokë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse kufoma e viktimës është gjetur më 17 dhjetor 2015 në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.

Ky rast kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën Themelore në Pejë, ku pas gjykimit të parë Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm, kurse pas gjykimit të dytë, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Por, në të dy rastet, aktgjykimet ishin anuluar nga Gjykata e Apelit, përkatësisht Gjykata Supreme dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.

Ndërsa, më 27 maj 2021, Gjykata Themelore në Ferizaj, e kishte dënuar Pajazitajn me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë, kurse Gjykata e Apelit më 29 tetor 2021 këtë çështje e ktheu në rivendosje tek Gjykata Themelore në Ferizaj.

Lexo edhe

Video