Nagavci: Greva ka humbur kuptimin e saj, mësimdhënësit nga nesër t’u kthehen shkollave

Nagavci: Greva ka humbur kuptimin e saj, mësimdhënësit nga nesër t’u kthehen shkollave

Përderisa SBASHK-u ka paralajmëruar vazhdimin e grevës, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci u ka bërë sonte thirrje mësimdhënësve që nga e hëna t’i kthehen procesit mësimor.

Ajo në një postim në Facebook ka bërë të ditur se pas takimit të djeshëm me Avokatin e Popullit, sot ka pranuar një letër nga Avokati Naim Qelaj të cilën MASHTI e ka shqyrtuar dhe ka kthyer përgjigje duke adresuar propozimet e tij.

“Si Qeveri kemi pritur që të ketë gatishmëri edhe nga SBASHK-u dhe të vazhdojmë dialogun social e të fillojë mësimi. Por, përmes mediave kemi parë tashmë që Sindikata ka dalë me qëndrim se greva vazhdon. Fatkeqësisht, Sindikata e Arsimit përveçse po refuzon bashkëpunimin me Qeverinë, ka dështuar dhe refuzuar edhe rolin ndërmjetësues të Presidentes e tash së fundi edhe të Avokatit të Popullit”, ka shkruar Nagavci.


SBASHK-u, sipas ministres Nagavci, po dëshmon se grevën nga një instrument e ka shndërruar në objektiv në vete dhe si e tillë, greva e ka humbur çdo kuptim.

“Si ministre e Arsimit ftoj mësimdhënësit anembanë Kosovës që, nga nesër t’u kthehen shkollave”, ka shkruar Nagavci.

SBASHK-u ka vendosur të vazhdojë grevën e nisur më 25 gusht, edhe pas shkresës që kishte marrë nga Avokati i Popullit, duke thënë se ajo nuk ka sjellë asgjë të re.

Sindikata e arsimit po kërkon ndarjen nga 100 euro shtesë për punonjësit arsimorë deri në hyrjen fuqi të ligjit të pagave, ndërsa ka refuzuar ofertën prej 50 eurove nga Qeveria deri në fund të vitit, me zotimin se ajo do të shqyrtohet serish pas miratimit të buxhetit për vitin 2023, në varësi të nivelit të inflacionit.

Lexo edhe

Video