Nagavci: Deri në shtator do t’i kemi të gjithë mësimdhënësit e vaksinuar

Nagavci: Deri në shtator do t’i kemi të gjithë mësimdhënësit e vaksinuar

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se deri në shtator do të vaksinohen të gjithë mësimdhënësit me qëllim që mësimi të fillojë me prezencë fizike në objekte shkollore.

Megjithatë, ajo gjatë raportimit para deputetëve të Komisionit për Arsim për 100 ditët e saj në krye të MASHTI-t, tha se do të jenë të përgatitur edhe për forma të tjera të organizimit të procesit mësimor nëse veç do të ketë nevojë.

“Në lidhje me fillimin e vitit të ri shkollor, synimi ynë është që të vazhdojmë me prezencë fizike, natyrisht se kjo është vendim që duhet të merret nga institucionet. Është një hap i mirë edhe një përparësi shumë e madhe që ka filluar vaksinimi i mësimdhënësve, kështu që në shtator do t’i kemi të gjithë mësimdhënësit e vaksinuar. Përgatitjet janë bërë dhe po vazhdojnë të bëhen nga ana e Komunave edhe shpresoj dhe besoj që do të jetë me prezencë fizike të nxënësve, po natyrisht ne do të jemi të gatshëm edhe për forma të tjera nëse është e nevojshme”, tha Nagavci.

Nagavci premtoi se shumë shpejtë do të emërohet edhe bordi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Arsyeja se pse nuk është emëruar deri tash, Nagavci tha se është për shkak se synojnë që në këtë bord të emërojnë njerëz kredibil dhe me integritet.

Nagavci prezantoi edhe qëllimet strategjike që i kanë si ministri, e që ndër to tha se është arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës e i digjitalizuar, përmirësimi i qasjes në edukimin në fëmijëri të hershme dhe stabilizimi i situatës pas pandemisë COVID-19.

Përgjatë këtyre 100 ditëve, ministrja tha se në mësimin plotësues të organizuar në bashkëpunim me DKA-të kanë marrë pjesë 192 mijë e 872 nxënës në arsimin fillor dhe atë të mesëm.

Ajo tha se kanë marrë vendimin për ndarjen e vlerës prej 100 mijë euro për ofrimin e mbështetjes së studentëve të dalluar të cilët janë pranuar në universitete jashtë Kosovës.

Po ashtu, Nagavci bëri të ditur se do të punësohen 100 asistentë për fëmijët me nevojat e veçanta.


“Në lidhje me arsimin gjithëpërfshirës, ju njoftoj se në kuadër të grantit specifik i cili do të jetë në shumën prej 201 milionë e 494 mijë euro, ndër të tjera është paraparë edhe punësimi i 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta. Tashmë ata janë të buxhetuar dhe komunat kanë të drejtë që të shpallin konkurse dhe të punësojnë stafin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta. Është planifikuar edhe pagesa e shpenzimeve për shujtën ditore për nxënësit nga klasa e parë deri në 5 për vitin e ardhshëm shkollor. Politikat përkrahëse për mësimdhënësit me gjendje të rëndë shëndetësore, pra aty ku Komunat konsiderojnë se është e nevojshme që një mësimdhënës i cili për shkak të problemeve shëndetësore nuk mund të vijojë në formë të rregullt mësimin, është paraparë edhe buxheti për t’u përkrahur këta mësimdhënës”, vijoi Nagavci.

Kritika për punën e Ministrisë së Arsimit ka pasur deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, e cila tha se shumica e veprimeve në këtë ministri janë marrë ad-hoc.

“Raporti të cilin ju e raportuat ishte shumë i shpejtë së pari, por ishte edhe shumë sipërfaqësor. Asgjë nuk ka të bëjë me pjesën përmbajtjesore të cilin ju e keni proklamuar në fushatë për programin e arsimit. Ne mendojmë që në këto 100 ditë në fushën e arsimit nuk janë vërejtur veprime sistematike që do të ishin në funksion të realizimit të programit të proklamuar të partisë suaj. Shumica e veprimeve të cilat janë marrë karakterizohen ad-hoc dhe vendime të cilat i keni marrë gjatë kësaj kohe lënë për t’u dëshiruar”, u shpreh Dumoshi.

Nënshkrimi i kontratës kolektive, përplasi Nagavcin me deputeten e PDK-së, Eliza Hoxha, ku kjo e fundit ka kërkuar që të dijë nëse ajo do ta shfuqizojë kontratën kolektive.

“E parëndësishme nëse është kohë fushate, e rëndësishme është nëse ju doni t’i qëndroni, nëse nuk doni t’i qëndroni prapa kontratës atëherë a deklaroni që do ta shfuqizoni, nëse po rishikimi i buxhetit do të bëhet atëherë duhet të ndani mjete. Këtë dëshiroj ta di, besoj dëshirojnë ta dinë edhe të gjithë mësimdhënësit, pavarësisht ngarkesës buxhetore, ju jeni ministre besoj që e keni në dorën tuaj ta merrni një vendim, një përgjigje kësaj sfide”, tha Hoxha.

Nagavci tha se e kupton që për deputetët tashmë ka filluar fushata zgjedhore dhe nuk pranoi të përgjigjet nëse do ta nënshkruaj të njëjtën.

“Unë e kuptoj që tashmë për ju deputetët ka filluar fushata por ju kisha lutur shumë që për çështjet e arsimit të jemi të kujdesshëm. Unë nuk thash se do të shfuqizoj ndonjë kontratë, nuk është në kompetencat e mia, po është pyetje që nuk ka arsye të bëhet. Nuk thash që do të shfuqizoj kontratë, përkushtimi ynë edhe angazhimi ynë është që të jemi në mbështetje të secilit prej mësimdhënësve, në mënyrë që t’i ndihmojmë ata që ta kryejnë punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Çështja është që obligimet që ne i kemi si ministri do të jenë në funksion të përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies dhe në mbështetje të mësimdhënësve, sepse veçse e përmenda që për herë të parë kemi filluar planifikimin edhe në mbështetje të mësimdhënësve të cilët kanë probleme shëndetësore edhe në mbështetje të mësimdhënësve në krijimin e kushteve më të mira për punë”, deklaroi Nagavci.

Në këtë mbledhje të komisionit ishte paraparë edhe shqyrtimi i Projektligiit për Ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e projektit ”Hulumtimi dhe Shkencat e Aplikuara në Arsimin e Lartë +(HERAS +)” dhe formimi i grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për tekstet shkollore dhe të dokumentacionit pedagogjik, por në mungesë të kuorumit janë shtyrë për mbledhjen e radhës.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: