Mustafa godet Kurtin e Osmanin dhe paralajmëron Abidixhikun: Vendi po rrëshqet në një fazë të rrezikshme

Mustafa godet Kurtin e Osmanin dhe paralajmëron Abidixhikun: Vendi po rrëshqet në një fazë të rrezikshme

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa thotë se veprimi i kryeministrit Albin Kurti, përkatësisht i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, për të votuar ndryshimin për Ligjin e Zgjedhjeve ishte një veprim i paramenduar. Ai mes rreshtave ka një porosi edhe për kryetarin e tanishëm të LDK-së, Lumir Abdixhiku duke shtuar se vetëm një opozitë e vendosur e ndal brutalitetin politik të Kurtit.

Mustafa në një prononcim për KosovaPress thotë se veprimet e Kurtit dhe VV-së gjatë së premtes mund t’i jepen epitetet e llojllojshme, si shantazhim i opozitës, kapje e shtetit por assesi veprim i një demokracie parlamentare në Evropë.

Mustafa theksoi se për gjithë këto sjellje Kurti nuk është fajtor pasi që siç thotë atë dhe Vjosa Osmanin e kanë njohur të gjithë.

“Duket se ishte dhe është një veprim i paramenduar i Kurtit, përkatësisht Grupi Parlamentar të Vetëvendosjes. Këtij veprimi mund t’i jepen epitete të llojllojshme, shantazhim i opozitës, kapje e shtetit, arbitrarizëm etj, por asesi veprim i një demokracie parlamentare në Evropë. Albini nuk mund të jetë fajtor për këto sjellje, sepse të gjithë e kanë njohur, atë dhe Vjosën, kurse qytetaret këtu dhe në diasporë ua kanë dhënë fuqinë me votë që të bëjë çfarë të duan”, tha Mustafa në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Iniciativa e Kurtit për të votuar ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet u pa edhe si shantazh për zgjedhjen e presidentes.


Megjithëkëtë, Mustafa thotë se vendi po rrëshqet në një fazë të rrezikshme për shtetin dhe demokracinë.

“Vendi po rrëshqet në një fazë të rrezikshme për shtetin, demokracinë dhe jetën parlamentare”, potencoi Mustafa.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku deklaroi ditë më parë se kishte zgjedhur konstruktivitetin dhe për të qenë pjesë e zhvillimeve për stabilitet dhe jo obstruksionin duke mos marrë pjesë në seancë për zgjedhjen e presidentit.

Pikërisht duke marrë shkas nga kjo fjali, Mustafa duket se paralajmëron edhe Abdixhikun duke shtuar se relacioni pozitë-opozitë nuk mund të zëvendësohet me asnjë diskurs dhe se vendosmëria e opozitës mund të ndal atë që ai e quan “brutalitet politik e shtetëror” të LVV.

“Albini po thotë, ‘unë iu shkelë të gjithëve’; disa po i thonë ‘mos na shkel sepse ne jemi konstruktiv nuk bëjmë obstruksion!?’ Mendoj se relacioni pozitë-opozitë nuk mund të zëvendësohet dhe modifikohet me asnjë diskurs. Vetëm vendosmëria e opozitës e ndal një brutalitet të tillë politik e shtetëror”, tha Mustafa për KosovaPress.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: