Mustafa do rrëzimin e Kurtit, me ndihmën e atyre që e poshtruan !

Mustafa do rrëzimin e Kurtit, me ndihmën e atyre që e poshtruan !

“Mendja është si toka: “Çka do të mbjellësh, atë do ta korrësh”!

Koalicioni i Vv me LDK po shkon drejt fundit. Këtë e paralajmëroi i pari i LDK, Isa Mustafa. Shkas u bë akti i shkarkimit të ministrit të MPB Agim Veliu, nga Kryeministri i tij Albin Kurti, për paaftësi dhe mosbesim. Ky akt ishte pasojë e shpërthimit spontan të pakënaqësive të Kryeministrit të grumbulluara për një kohë më të gjatë, e që nuk lidhen vetëm me të.

Në të vërtetë shkak u bë kundërvënia e tij ndaj skenarit të hershëm të bisedimeve për copëtimin e Kosovës, të cilin për disa vite po e drejton Hashim Thaçi, i cili me ndihmen e Vuqiqit po i përdorë me radhë të gjithë aktorët politik të vendit, për ti luajtur pjesët e tyre. I njëjti madje, me metodat e “qypit me flori” të Pashait të Janinë, ka depërtuar edhe te të korruptuarit e Pallateve të mëdha, duke blerë edhe “titullin”, “George Washington i Kosovës”. Të vetmit udhëheqës që iu kundërvunë dhe e kërcënuan me shkarkim ishin Vjosa Osmani dhe Albin Kurti.
Fushata e qeverisë së re për shkarkimin e shtetit nga hajnat dhe tepricat humane të instaluara nga oligarkët në të gjitha mandatet, të cilët mbushin qypat e pashallarëve dhe kontrollojnë votat e vazhdimësisë, u bënë shkak i ngutjes.
Edhe kësaj radhe funksionoi metoda e shantazhit me të cilën u përul vendimmarrësi i partnerit të koalicionit, vendimet e të cilit u imponuan nga veprimet e djemve të tij të zënë peng për shkak të problemeve me drejtësinë.
Taksa (e sponzorizuar nga serbia), antiamerikanizmi i Kurtit, gjendja e jashtëzakonshme, janë skenar arsyetimi për përmbylljen e këtij turpi.
Votimi i mocioni të mosbesimit, (për ironi të fatit), do të bëhet me përkrahjen e atyre që rreth 3 vite më parë e rrëzuan me turp qeverinë Mustafa.

Ky mocion po vie në kohën kur vendi është i kërcënuar nga pandemia e Koronavirusit vdekjeprurës e shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Opinioni këtë veprim po e quan antihuman dhe shpërfillje e kujdesit për jetët e qytetarëve, sepse aktualisht kudo në botë ka unitet politik dhe njerëzor me të cilin qeveritë po punojnë për ta perballur këtë pandemi dhe pasojat zinxhirore ekonomike e sociale që i ka shkaktuar ajo, madje edhe te shtetet e forta si Italia e Spanja. Madje ne Itali njerëzit nga ballkonet e pallateve po e shperfillin vdekjen dhe me këngë po i inkurajojnë njerëzit që po shkojnë në rrugën pa kthim.

Nuk ka asnje dyshim se mocioni do të kalojë, sepse numrat pro tij tashmë janë gjetur. Problemi është te arsyetimi ligjor dhe etik që duhet të bëhet pas rrëzimit të qeverisë, ku (veqmas për këtë të dytën) nuk ndihmon madje as z. Richard Grenell.


Pas votimit të mocionit, bazuar në gjendjen e tashme dhe ligjet në fuqi, duket qartë se nuk ka zgjidhje të shpejtë e të lehtë.
Neni 82 alinea 2 e Kushtetutes së Kosovës decidivisht thotë se: “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të
suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.

Kjo do të thotë se zgjedhjet janë i vetmi opcion. Me Kushtetuten e Kosovës, Presidenti nuk ka, asnjë punë tjetër pos shpalljes së zgjedhjeve. Ajo nuk le hapësirë për shans të dytë të dizajnimit të ndonjë qeverie (madje as teknike), por as koment të ri të Gjykatës Kushtetuese, sepse nuk ka lëndë për të.

Shkuarja në zgjedhje nuk mund të ndodhë për shkak të udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë e cila kufizon grupimin e njerëzve për shkak të rrezikut nga pandemia.
Nga kjo del se qeveria Kurti do të vazhdojë qeverisjen si në situata të jashtëzakonshme, pra me afat më të gjatë se 45 ditë sa lejon Kushtetuta.
Shkaktimi i krizës kombëtare për shkak të një individi (cilido qoftë ai), nuk i bënë nderë udhëheqësve partiak e shtetëror. Akte të shkarkimit të ministrave ka pas sa te duash në disa mandate. Madje MPB vetëm në mandatin e z. Haradinaj i ka shkarkuar 2 ministra të kësaj ministrie.

Për më shume, nuk ka asnjë dyshim se LDK do ti bartë pasojat e prishjes së koalicionit, të cilat do të jenë të pariparueshme.

Shpëtimi dhe reformimi i saj që pati filluar nga një grup i të rinjve me Vjosa Osmanin në ballë, e mori goditjen nga klani i vjetër, pas argatllëkut që ia bënë dhe përbuzjes nga ta të rezultatit të zgjedhjeve të fundit. E tash, Vjosa, “zonja e hekurt”, nuk ka storie të besueshme për votuesit e saj të cilët indolencen e saj nuk e kanë pasur parasysh.

Dhe krejt ne fund, partitë e mocionit duhet ta parashikojnë se si mund të kalojnë në zgjedhjet e vjeshtës?! Ato nuk duhet të befasohen nëse reakcioni i votuesve do të jetë masiv pro Vv, për shkak të imazhit shumë pozitiv që Qeveria Kurti e krijoi në luftimin e krimit, korrupcionit dhe kursimit të parave tona, me disa vendime perfekte, me të cilat e bindi popullin se shteti i Kosovës ka të ardhme, por që duhet të bëhet çkapja e tij.

Lexo edhe

Video

error: