Musliu: S’priten incidente, veriu ka shansin të çlirohet nga trinomi Putin-Vuçiq-Radojiçiq
Intervista
Lexohet për: 6 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu ka deklaruar për KosovaPress se situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë, por e ndjeshme. Ai ka thënë se deri më tash nuk ka asnjë informatë për ndonjë incident në këtë pjesë të vendit ku edhe po mbahen zgjedhjet e parakohshme për kryetar të katër komunave me shumicë serbe.

Derisa tha se trinomi Putin-Vuçiq-Radojiçiq funksionon në terren dhe se i njëjti është përgjegjës për presionin, për krimet dhe kontrabandat që bëhen në veri të Kosovës, dhe jo vetëm, Musliu apeloi qytetarët serbë që të mos ndikohen dhe të dalin për të ushtruar të drejtën e tyre legjitime për të votuar.

Sipas tij, zgjedhjet e 23 prillit shënojnë vetëm fillimin e normalizimit të pjesës veriore të Kosovës sa i përket pjesës së minoritetit serb që jeton atje.

“(Situata e sigurisë në veriun e Kosovës)  deri më tash është e qetë, sigurisht është e ndjeshme, por Policia i siguron të gjitha pikat e votimit. Nuk ka pasur asnjë incident deri më tash... Qarkullimi zhvillohet në mënyrë normale. Deri tash sa po flasim, unë nuk kam asnjë informatë që mund të përgatitet apo është në progres nga ndonjë individ i caktuar në veriun e Kosovës, sa i përket sigurisë publike apo prishjes së rendit dhe qetësisë publike”, tha ai. 

E derisa Beogradi zyrtar ka apeluar serbët e Kosovës që të mos dalin në votime në zgjedhjet e 23 prillit, duke propaganduar se “do të dalin vetëm 100 serbë”, apo se pas këtyre zgjedhjeve “do të pushtohet veriu”, Musliu tha se krejt këto janë fjalë boshe për konsum të brendshëm.

“(Deklaratat propaganduese të Serbisë) Këto janë më shumë për konsum të brendshëm, apo për të prekur sedrën e serbëve në Serbi dhe në veriun e Kosovës. Janë deklarata boshe, kur edhe serbët e veriut, shumica e atyre që s’janë pjesë e bandave kriminale e dinë se si jetohet, sa marrëzisht jetohet me prezencën e ‘Listës Srbska’ dhe bandave kriminale në veri, të cilët e torturojnë këtë pjesë të popullit serb në veri të Kosovës, duke shtirë edhe shantazh, rrahje, djegie të veturave, përjashtim prej shkollës, punës, presione të shumta prej të cilave nuk mund të jetohet. Të gjithë e dimë, edhe Bashkësia ndërkombëtare e di, edhe qarqet e sigurisë e dinë, që ky trinom Putin-Vuçiq-Radojiçiq funksionon në teren dhe ky trinom është përgjegjës për këtë presion që bëhet dhe për të gjitha krimet dhe kontrabandat që bëhen në veri të Kosovës, dhe jo vetëm. E dimë mirë se çfarë ndodhi në Mal të Zi, dhe e tërë kjo nën vellon e Kishës Ortodokse Serbe, e cila jep bekimin për të bërë masakra dhe vrasje për të destabilizuar ndonjë vend të caktuar”, tha ai.

Ai u shpeh optimist se numri i qytetarëve serbë në veri të vendit për të votuar do të rritet, meqë sipas tij, qytetarët serbë, ndryshe nga paralajmërimet e Vuçiqit, po e gëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. 

“Unë shpresoj që ky numër do të rritet deri në orën 19:00 dhe është vetëm fillimi i normalizimit të pjesës veriore të Kosovës sa i përket pjesës së minoritetit serb që jeton atje, sepse është në të mirë të tyre. Është në të mirë të tyre, së pari në të mirë të fëmijëve të tyre, në të mirë të Republikës, sepse më lehtë bashkëpunojmë por edhe siguria do të jetë në nivel më të lartë apo më të dëshiruar, sepse nga vet prezenca e bandave kriminale që kontrollohen nga ky trinom është pothuajse e pamundur që të jetohet aty, sepse ne e kemi Policinë prezentë, por ne nuk mund të marrim hapa radikalë sepse gjykohemi nga bahskësia ndërkombëtare, pasi që ne i përgjigjemi shumë marrëveshjeve dhe jemi shtet që i përgjigjemi edhe ligjit. Ndërsa këta kriminelë nuk i përgjigjen as ligjit as askujt, vetëm i përgjigjen Vuçiqit dhe Putinit”, tha Musliu për KosovaPress.

Sa i përket demonstrimit të focës ushtarake serbe në Aeroportin e Batajnicës, Musliu tha se është ‘tregim i muskujve’ me qëllim të provokimit për destabilizim të situatës në Kosovë dhe Ballkan.

“Sa i përket demonstrimit të forcës në Aeroportin e Beogradit, po, ajo është ‘tregim i muskujve’, apo veshje e muskulaturës. Para disa ditëve ne e dimë që edhe në Rashkë ka pasur edhe një stërvitje ushtarake, ku është sprovuar gatishmëria ushtarake e ushtrisë se Serbisë në bashkëveprim me polici, por edhe kjo që ka ndodhur aty, sigurisht së bashku me ‘Listën Srbska’ tregon përcaktimin e përcaktimin e Republikës së Serbisë, Vuçiqit, në rrugën e tyre. Do të thotë, ata nuk mendojnë për paqe, për demokraci, nuk janë të përcaktuar për rregullimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe me shqiptarët, por përkundrazi, shtojnë kushte, shtinë autoritet në pjesën veriore nëpërmjet dhunës, për shkak se duan që gjithmonë Republikën e Kosovës ta kenë të destabilizuar, por edhe tërë Ballkanin, sepse kanë një miqësi shumë të thellë me Moskën dhe Putnin, të cilit i konvenon kjo situatë”, tha ai.

Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale, ku janë planifikuar të hapen 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 do të jenë alternative apo të ashtuquajtura “kontejnerë”.

Në zgjedhjet e 23 prillit, në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantiq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, kanë të drejtë vote gjithsej 45 mijë e 95 qytetarë.

Ndërsa deri në ora 15:00 në këto zgjedhje kanë votuar mbi 1100 qytetarë.

https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bhapen-qendrat-e-votimit-ne-zvecan/
https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bhapen-te-gjitha-qendrat-e-votimit-ne-veri-te-mitrovices/
https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bhapen-qendrat-e-votimit-ne-zvecan/
https://kosovapress.com/admin/zeqiri-serbeve-te-veriut-po-u-behet-presion-nga-shteti-serb/
https://kosovapress.com/admin/ibishi-terheqja-e-jabllanoviqit-nga-zgjedhjet-kercenim-direkt-i-regjimit-te-beogradit/
https://kosovapress.com/admin/pjesemarrje-e-ulet-ne-zgjedhjet-ne-veri/
https://kosovapress.com/admin/kelmendi-bej-thirrje-qe-te-gjithe-qytetaret-te-votojne/
https://kosovapress.com/admin/ish-kryetarja-e-kqz-se-pavaresisht-pjesemarrjes-se-ulet-kryetaret-do-te-zgjidhen/
https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bkonjufca-zgjedhjet-ne-veri-po-mbahen-ne-atmosfere-te-qete-dhe-demokratike/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024