Musliu-Kurtit: Sillu si kryeministër e jo si prind i keq

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka reaguar pas debatit në mes kryeministrit Albin Kurti, kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ministrit Hekuran Murati. Ajo ka deklaruar se kryeministri po i del në mbrojtje ministrit si prind i keq. Derisa ka folur për ikjen e mjekëve dhe infermierëve, Kurti u përgjigj se 80 për qind e qytetarëve që po migrojnë janë punëtorë të sektorit privat.

Musliu në seancë plenare ka thënë se shefi i ekzekutivit po i del në mbrojtje Muratit, si prind i keq.

“Mënyra se si i dole në mbrojtje ministrit të Financave, e more në mbrojtje mu duke si ai prindi i keq që del e thotë ‘vallah ai djali jem nuk ka faj, fëmija jem është i edukuar nuk ka fol asgjë’. Kryeministër po ta kujtoj edhe një fjalë të urtë popullore që e kanë thënë pleqtë shpesh herë- fëmija i hanë mollat e të mëdhenjve ju pihen dhëmbët. Prandaj sillu si kryeministër e jo si prind i keq”, ka deklaruar Musliu.


Ajo po ashtu ka folur edhe për ikjen nga vendi të profesionistëve shëndetësor.  

Kryeministri Albin Kurti tha se ishte dëshmitar i ndërprerjes së fjalës nga ministri Murati, por nuk ishte ofendim në përmbajtje.
“Ky e mbron vetën, nuk kam nevojë unë ta mbroj. Kjo është e para. E dyta, sa i përket ikjes së profesionistëve dhe punëtorëve në Kosovë, është e vërtetë që ky është problem i madh dhe unë besoj që arsyeja kryesore e emigrimit të pasluftës është mungesa e urës ndërmjet arsimimit dhe aftësimit profesional dhe të tregut të punës. Ky është problemi më i madh. Ka një gjë që është edhe më e rëndësishme se arsimi dhe se ekonomia, e kjo është lidhja midis arsimit me ekonominë. Emigrimi në Kosovë është pasojë e hendekut të shkathtësive mes tregut të punës dhe aftësimit profesional. Më besoni që prej krejt analizave, del që numri më i madh i atyre që shkojnë megjithatë është sektori privat bëjnë pjesë 80 për qind të klasës punëtore. Kurrë mos e harroni këtë. Vetëm 1/5 është e punësuar në sektorin publik, 4/5 në sektorin privat”,
ka deklaruar Kurti.

Gjatë seancës së sotme plenare, kreu i AAK-së ndërpreu fjalimin e tij në foltore për shkak se i pengoi ministri Hekuran Murati. Më pas, Haradinaj tha se sa herë del në foltore pengohet e fyhet nga ministrat. Për këtë, kryeministri Albin Kurti tha se Murati nuk e kishte fyer por kishte kërkuar sqarim shtesë për rritjen e pagave që është bërë nga viti 2018. /Sh.Pajaziti

Lexo edhe

Video