Murati: Reduktime ka pasur çdo vit, por qeveria nuk është sulmuar sepse në ekzekutiv nuk ka qenë LVV

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati iu është drejtuar partive opozitare duke thënë se reduktime të energjisë elektrike ka pasur vit për vit, por që atë kohë nuk ishte Lëvizja Vetëvendosje në qeverisje dhe se reduktimet kryesisht kishin ndodhur në pjesët rurale për të cilat nuk janë brengosur deputetët.

Këto komente Murati i bëri gjatë seancës ku po diskutohet për krizën energjetike.

“Reduktime ka pasur vit pas viti për deputetin Abdixhiku. Mund të jetë ndoshta i ri në Kuvend dhe në subjektin LDK-së, por ka qenë pikërisht deputeti nga LDK, kryesuesi i Komisionit Hetimor Parlamentar për reduktimet e energjisë elektrike, deputeti Muhamet Musafa  që ka bërë komision hetimor për këtë çështje dhe ka ardhur në përfundimin që ka pasur reduktime të paligjshme nga ana e operatorit. Reduktime ka pasur çdo vit vetëm se dallimi ka qenë që atëherë nuk ka qenë Lëvizja Vetëvendosje në qeveri dhe nuk është sulmuar qeveria, e para dhe, e dyta, reduktimet kryesisht janë bërë në zona rurale për të cilat nuk është se janë brengosur fort deputetët e Kuvendit apo politikanët që janë në opozitë“, theksoi ai.


Për blerjen e energjisë eletrike më herët Murati u shpreh se kjo i takon KESCO-s.

“Furnizuesi, licenca e furnizuesi e ka KESCO të cilin ju e keni shitur sepse kur e keni shitur keni thënë se këta menaxhojnë më mirë apo jo, a keni thënë se këta e menaxhojnë më mirë sepse janë privat  e tash privat me licencën që e ka është dashur me u përkujdes edhe për blerje të energjisë. Sa i përket blerjes së energjisë dhe sigurimit të çmimeve më të favorshme dhe më pak të favorshme unë dyshoj që ndonjëri këtu e ka ekspertizën e nevojshme me na treguar përtej dijes anektodale se si funksionon bursa dhe çmimet energjetike”, theksoi ai.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i është kundërpërgjigjur Muratit duke i thënë se ai bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nuk po i dinë gjërat bazike.

“’Forward markets’ dhe ‘future markets’ janë dy gjëra të ndryshme zotëri Murati. Njëmend është e dhimbshme, ti je ministër i Financave, këto punë duhet me i ditë më duket, ke studiuar ekonomi a po kupton. ‘Forward markets’ më fal që nuk e kam terminologjinë në gjuhën shqipe ti e ke studiuar edhe në gjuhën angleze ka dallim esencial, ‘forward’ është kur merren vesh jashtë bursës dy palë drejtpërdrejt qysh ndodh në shumicën e furnizimit me energji me kontrata të fiksuara në Evropë, e ‘future markets’ është brenda ‘exchange’ ose bursës. Qysh është e mundur ti me qenë ministër e mos me i ditë këto punë, ky është dallim esencial, edhe studentët e vitit të tretë në ekonomi mos me i ditë duhet me i rrëzu nga provimi. Ministrja e Energjisë nuk dinë për çka është tu fol për energjinë, ministri i Financave nuk di për senet bazike në financa, unë me të vërtetë  nuk di çka me thënë më shumë, nuk ia vlen me fol me juve”, u shpreh ai.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.