Murati: Kthimi i dividentës që të ndihmohet likuiditeti i sektorit energjetik në vend

Ministri i Financave, Punës dhe Transferove, Hekuran Murati, tha se kthimi i 20 milionë euro në ndërmarrjen publike KOSTT, është bërë në mënyrë që të ndihmohet likuiditeti i sektorit energjetik në vend.

Ministri tha se 20 milionë euro që janë ndarë për KEK-un, janë për subvencionim të importit, të cilin KEK do ta menaxhojë.

“Shënon një hap të radhës pas atij për ndarjen e 20 milionë eurove për ndërmarrjen publike KEK, kësaj radhe po bëjmë kthimin e po aq një shume të ngjashme, pra 20 milionë euro në ndërmarrjen publike KOSTT në mënyrë që kësisoj të ndihmohet likuiditeti i sektorit energjetik në vend, marrë parasysh që për shkak të rritjes së importit po edhe rritjes enorme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare për import, sektori energjetik po përjeton një krizë sa i përket likuiditetit të mjeteve”, tha ai.

Ministri Murati tha se i tërë sektori energjetik po kalon nëpër një krizë likuiditeti, megjithatë tha se 20 milionë euro të ndara për KEK-un janë ndarë për subvencionim të importit të cilin KEK-u do ta menaxhojë.

“I tërë sektori po kalon nëpër një krizë likuiditeti, si KEK-u, ashtu edhe KOSTT, ka edhe borxhe të papaguara ndërmjet anëtarëve të sektorit. Pra, ndaj KOSTT, anëtarët e tjerë të sektorit të energjisë elektrike kanë obligime diku rreth 15 milionë euro, pra ka edhe obligime tjera të cilat e kanë përkeqësuar situatën dhe ka qenë e domosdoshme që të ndërhyhet dhe meqenëse kemi pasur likuiditetin e nevojshëm në kohën kur është kërkuar dividenta, pra nuk ka qenë të parapara këto situata, kemi vendosur që ta kthejmë. Sa i përket KEK po ashtu edhe nga KEK-u, kemi pasur një dividentë 10 milionë euro, ende nuk kemi ndonjë kërkesë të tillë në ndonjë situatë për t’u shqetësuar te KEK-u, meqenëse gjendja e likuiditetit fillimisht ka qenë paksa më e mirë. Megjithatë, 20 milionëshi që është ndarë nuk është ndarë si subvencion për KEK-un por është 20  milionë i ndarë për subvencionim të importit, të cilin KEK do ta menaxhojë”, tha ai.

Ai u pyet edhe rreth çmimit të duhanit, duke qenë se sot në qeveri është miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për akcizën e produkteve të duhanit.


“Çmimi aktualisht është 49 euro, mirëpo sipas kalendarit pritet që prej 1 janarit të rritet dhe është e paraparë që të rritet çdo vit 2 euro”, tha ai.

Ministri i Financave tha se si qeveri dhe si MF, kanë synim që vitin e ardhshëm ta nisin me sa më pak obligime financiare, për çka tha se po bëjnë çdogjë që të gjitha obligimet t’i adresojnë gjatë këtij viti.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, tha se në mbledhjen e qeverisë sot kanë aprovuar strategjinë për bujqësi dhe zhvillim rural 2022-2028, për të cilën tha se për herë të parë aprovohet një strategji të tillë.

“Qeveria e Kosovës sot për herë të parë në historinë e ekzistencës së institucioneve aprovon strategjinë për bujqësi dhe zhvillim rural 2022-2028. Gjithashtu kemi aprovuar edhe strategjinë për pyje për vitin 2022-2030. Të dy këto dokumente strategjike janë shumë të rëndësishme për objektivat që i kemi si qeveri dhe unë si ministër…Në mesin e vendimeve të shumta ne do të kemi sot 2.5 milionë euro shtesë në kuadër të realizimit të programit të pagesave direkte të vitit 2021”, tha ai.

Sa i përket një përplasje që ka pasur me deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu, ministri Peci u pyet se a është telefonuar nga prokuroria, për çka ai tha se i qëndron çdo deklarate që ka dhënë.

“Unë nuk kam folur as që ka kaluar koha e as që është koha, unë kam dhënë deklaratën atë që është që mundeni me e konifmru dhe qëndroj mbrapa çdo deklarate që jap”, tha ai.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.