Murati: Interesimi për investime në Bonot e Diasporës arrin në rreth 7 milionë euro

Murati: Interesimi për investime në Bonot e Diasporës arrin në rreth 7 milionë euro

Ministri i Financave dhe Transfereve Hekuran Murati ka dhënë detaje mbi investimet e deritanishme në bonot e diasporës.

Ai në një postim në Facebook ka bërë të ditur se interesimi për të investuar në Bonot e Diasporës arrin në rreth 7 milionë euro.

“Megjithëse kemi ofruar dy afatizime, mërgata jonë duket se preferon investimin më afatgjatë në vend, sepse mbi 80% e shumës së investuar është në Bonot 5-vjeçare.  Mërgata për Kosovën”, shkruan ministri Murati.


Banka Qendrore e Kosovës dhe gjashtë banka komerciale sivjet kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për emetimin e bonove të dedikuara për diasporën në vlerë 20 milionë euro.

Maturitetit i bonove do të jetë trevjeçare dhe pesëvjeçare, ndërsa periudha e shitjes është nga data 21 korrik deri më 20 gusht 2021.

Për 13 vjet, Kosova ka pranuar rreth 9 miliardë euro remitenca, mjete këto të cilat  paraqesin kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore në vendin tonë.

Letrat me vlerë ose bono të thesarit lëshohen nga Ministria e Financave dhe Transfereve sa herë që qeveria ka nevojë për më shumë para. Këto letra janë borxh i qeverisë. Letrat me vlerë në Kosovë kryesisht blihen nga bankat komerciale.

Lexo edhe

Video