Mungesa e stadiumeve, analistët: Mëkat çfarë po i bën shteti sportit

Mungesa e stadiumeve, analistët: Mëkat çfarë po i bën shteti sportit

Mungesa e investimeve në stadiumet e futbollit vlerësohet se po e ngadalëson zhvillimin e këtij sporti në Kosovë. Derisa klubet e Superligës po tregohen të suksesshme edhe në arenën ndërkombëtare, shteti nuk po arrin që t’i mbështesë ato me infrastrukturë e nevojshme.

Drita, Gjilani, Malisheva, Prishtina dhe Fushë Kosova, janë skuadrat që e kanë nisur edicionin e ri garues në pamundësi për t’i zhvilluar ndeshjet në stadiumet e tyre, pikërisht për shkak se ato nuk i plotësojnë kushtet për lojë.

Analisti Arsim Plepolli thotë për KosovaPress, se shteti ka dështuar totalisht në këtë aspekt dhe se është mëkat mosmbështetja e sportit nga ana e shtetit deri në këtë pikë.


Vetëm stadiumi “Fadil Vokrri”, posedon licencën e UEFA-së për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare, dhe kjo sipas analistit Alban Lumi, është e pakuptueshme. Ai për KosovaPress, thotë se shteti duhet të ndërhyjë urgjentisht në zhvillimin e infrastrukturës sportive në vend.

Sipas trajnerit të futbollit, Kastriot Rexha, Kosova ka mbetur shumë prapa në këtë aspekt. Ai thotë se drejtuesit e komunave kanë lënë pas dore investimet në stadiume duke mos investuar asgjë në vitet e fundit.

Ndryshe, ditë më parë Zyra Kombëtare e Auditimit ka vënë në pah se realizimi i projekteve të stadiumeve në Kosovë, po përcillet me vonesa disavjeçare, kosto shtesë, si dhe cenim të transparencës dhe konkurrencës në proceset e prokurimit.

Lexo edhe

Video