Mujka: Do të ketë furnizim me ujë të pijshëm, por nuk përmbushen të gjitha nevojat
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 ditë më parë
Linku u kopjua

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes Ibër-Lepenci, Faruk Mujka tha se pas sanimit të përkohshëm të dëmeve pas shpërthimit mbrëmë, qytetarët sot mund të furnizohen me ujë të pijshëm por në sasi të limituar.

Mujka tha për KosovaPress, se kushtet atmosferike po e pengojnë punën në sanimin e dëmeve.

Sipas tij, riparimi i pasojave të shkaktuara dje nga shpërthimi mund marrë kohë deri në një javë.

“Situata është, sanimin që e kemi bërë dje, është në rregull. Por, tash duhet të vazhdojmë me hapin tjetër sanimin e komplet dëmit që të mund të jepet shërbimi i plotë edhe për ujë të pijes për t’i furnizuar edhe kompanitë regjionale të ujësjellësit…Kushtet atmosferike janë tepër të rënduara, me borë dhe shi dhe po shpresojmë që ta mbajmë mirë edhe sot”, tha Mujka.

Mujka tha se nga kanali që është improvizuar nga punimet mbrëmë mund të furnizohen racionalisht me ujë të pijshëm kompanitë regjionale të ujësjellësve, për çka theksoi se nuk do të mund të përmbushen të gjitha kërkesat për furnizim.

“Me këtë kapacitet çka e kemi vetëm duhet pasur një lloj llogaritje më të mirë, që të mund t’ua shpërndajmë të gjithëve nga pak, që mos të mbetet askush pa ujë. Me këtë sasi çka e kemi të mundshme të mund ta përcjellim në kanalin e improvizuar, duhet atë ta shpërndajmë ndërmjet KEK-ut dhe ujësjellësve. Unë mendoj që mund [të ketë sot furnizim me ujë të pijshëm] nga pak, porse nuk mund të përmbushen të gjitha nevojat", tha ai.

Mujka tha se aktualisht gjendja në Ibër-Lepenc është e qëndrueshme, derisa shtoi se sanimi i dëmeve mund të marrë kohë deri në një javë.

Ndërkaq, lidhur me furnizimin me ujë në KEK, Mujka thotë se zgjidhja e tanishme është vetëm e përkohshme.

Mbrëmjen e 29 nëntorit ka ndodhur një shpërthim në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, në pjesën veriore të Kosovës.

Shpërthimi ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se sulmi është kriminal e terrorist dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Beogradi.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi ka pasur synim dëmtimin e infrastrukturës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi”.

Prej Ibër-Lepencit furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës, gjithashtu Koorportata Energjetike e Kosovës./Z.Zeneli

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024