Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka dënuar Muhamet Alidemajn me 15 vjet heqje lirie për krime lufte ndaj popullsisë civile në Izbicë.
Në masën e dënimit do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit prej datës 31.03.2021 e tutje. Të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më tepër se dënimi i shqiptuar.
Alidemaj më datë 28 mars 1999 në fshatin Izbicë, në orët e hershme të mëngjesit, së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe zbritën nga mali në drejtim të fshatit, shkuan te vendi ku ishin të grumbulluar popullsia civile, fillimisht i ndajnë gratë dhe fëmijët nën moshën 12-vjeç nga turma dhe nën kërcënimin e armëve i detyruan të shkojnë në drejtim të Shqipërisë, ndërsa burrat e mbetur i ndanë dhe i ekzekutuan me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan.
Po ashtu, i akuzuari së bashku me pjesëtarët e forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në trajtimin çnjerëzor, cenimin e integritetit trupor dhe të shëndetit, zhvendosja, grabitja dhe shkatërrimi i pasurisë civile, ashtu që me të hyrë në Izbicë, fillimisht i detyruan me dhunë civilët shqiptarë të largoheshin nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin e armëve dhe i grumbulluan në një livadh në mes të fshatit, pastaj filluan djegien dhe shkatërrimin e të gjitha shtëpive të fshatit, me ç’rast i akuzuari së bashku me katër persona të paidentifikuar, shkuan te shtëpia e të dëmtuarit A.O, e thirrën bashkëshorten e tij që të dalë nga turma e njerëzve ku ishin grumbulluar dhe të shkonte te shtëpia e saj.
Në momentin kur Xh.O. refuzon të del në katin e dytë të shtëpisë, i pandehuri e godet me shuplakë në fytyrë te dera e shtëpisë dhe e urdhëruan që të shkojë te turma e civilëve të grumbulluar në livadh.
Në largim e sipër e dëmtuara e sheh që të gjitha shtëpitë e fshatit po digjeshin nga zjarri, pastaj një grup i forcave policore ushtarake serbe ku bënë pjesë edhe i pandehuri shkon te popullsia civile dhe nën kërcënimin e armëve iu plaçkitën të gjitha sendet personale me vlerë dhe paratë.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.