Mosliberalizimi: “ICH BIN EIN PRISHTINAER!”

Mosliberalizimi:  “ICH BIN EIN PRISHTINAER!”

Më 26 qershor 1963, në kulmin e Luftës së Ftohtë dhe në prag të ndërtimit të murit më të rëndë ndarës të Europës, i njohur si Muri i Berlinit, Presidenti Amerikan John F. Kenedi, kishte mbajtur një fjalim, i cili do të mbetej simbol i solidarizimit dhe mbështetjes nga njerëzit e lirë për popujt e bllokuar, përmes deklarimit “ICH BIN EIN BERLINER!”.

Kjo është një nga ato momentet të cilat populli gjerman dhe Europa në përgjithësi nuk duhet harruar kurrë, veçanërisht kontributin e SHBA-së për ta bërë Europën e lirë, demokratike dhe fuqi ekonomike botërore. Porse nuk dua këtë shkrim ta fokusoj në atë pjesë të njohur të historisë. Këtë shkrim me shkas dua ta fokusoj në mesazh të qartë që lidershipi ynë, dhe qytetarët europian duhet ta dijnë karshi Kosovës. Sigurisht se edhe rrethanat e Kosovës në kohën kur po i shkruaj këto rreshta kanë ndryshuar shumë, sidomos në konktekstin e Lirisë dhe Pavarësisë, (sërish si meritë e madhe e SHBA-së dhe disa vende të BE-së), porse mbetet ende shumë për t’u arritur.

Shikuar nga konteksti i sotëm i Kosovës (2020) në raport me BE-në, duke qenë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim, është thënë e vërtetuar disa herë se është një padrejtësi e madhe getoizimi europian që i është bërë Kosovës. Me këtë rast edhe vetë kredibiliteti i BE-së është vënë në pikëpyetje, pasi kur BE-ja nuk është në gjendje të mbajë fjalën për një veprim kaq të vogël, atëherë si mund t’i besojmë për gjëra më kruciale, siç është edhe çështja e përmbylljes së dialogut me Serbinë.

Normalisht se e kam të njohur procedurën se vendimi për liberalizim u takon vendeve anëtare veç e veq, porse në marrëdhënie kontraktuale e publike, si publik i Kosovës, ne njohim një BE, prandaj edhe i referohemi si BE qoftë për sukseset qoftë për dështimet. Duke parë mungesën e një adrese të qartë dhe të folurit me një zë si BE, më vjen ndërmend edhe thënja e fashme e Kisingjerit, diplomatit të shquar amerikan, se “Kë ta telefonoj nëse dua të flas me Europën?”


Prandaj, duke qenë se nga nesër me 1 korrik 2020, Gjermania merr kryesimin e BE-së, shfrytëzoj këtë rast për të rishkruar fjalinë markante të Kenedit të thënë para 58 viteve në Berlin:

“Gjithë njerëzit e lirë, kudo që ata jetojnë, janë qytetarë të Berlinit, dhe kësisoi, si njeri i lirë, ndjehem krenar kur them “ICH BIN EIN BERLINER!” (Unë jam një Berlinas).

Dhe në këtë kujtesë, dua t’ju kërkoj qytetarëve të lirë veçanërisht, qytetarëve të lirë të atyre vendeve anëtare të BE-së, që nga nesër me 1 korrik 2020, të paktën për një çast të kohës së tyre të çmuar, edhe ata të ndjehen të getoizuar si qytetarë të Prishtinës e tërë Kosovës dhe të thojnë: “ICH BIN EIN PRISHTINAER!”.

BE – na jepni gjënë elementare – lirinë e lëvizjes në Europën e bashkuar!

Lexo edhe

error: