Ndonëse është përmendur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, aplikimi i shtetit tonë për anëtarësim në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) nuk u bë asnjëherë. Së fundi, pushteti aktual kishte premtuar se Kosova do të anëtarësohej në OBSH, porse kjo nuk u realizua. Si shkak i kësaj, pacientëve në vendin tonë u mohohen shumë të drejta dhe përfitime.
Opozita vlerëson se nuk është bërë asnjë hap nga qeveria Kurti në këtë drejtim. Ndërkaq, institucionet thonë se synim mbetet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, derisa shtojnë se po shqyrtojnë mundësitë për aplikim në një moment të përshtatshëm sipas tyre.
Sipas tij, pushteti nuk ka bërë asnjë hap për ta çuar përpara procesin drejt anëtarësimit.
Po ashtu edhe deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj thotë se ka pasur dështime të mëdha në anëtarësimin e organizatave evropiane. Sipas tij është iluzionare të pritet që në këto kushte Kosova të bëhet pjesë e OBSH-së.
Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje me shkrim për KosovaPress thonë se bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë analizuar bazën ligjore të OBSh-së dhe mundësinë e aplikimit për të gjetur një momentum të përshtatshëm.
Sipas tyre, synim mbetet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.
OBSH përbëhet nga 194 shtete anëtare. Edhe pse Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara (OKB), ajo mund të aplikojë në agjencitë e specializuara të Kombeve të Bashkuara, sikurse ndodhi me UNESCO-n në vitin 2015. Në Nenin 3 të Kushtetutës së OBSH-së shkruan se "Anëtarësimi në organizatë do jetë i hapur për të gjitha shtetet." Ndërkaq, Neni 196 i Kushtetutës së OBSH-së përcakton se “Në varësi të kushteve të çdo marrëveshjeje ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës, të miratuar në përputhje me Kapitullin XVI, Shtetet që nuk bëhen Anëtare në përputhje me Nenet 4 dhe 5 mund të aplikojnë për t'u bërë Anëtare dhe do të pranohen si Anëtare kur kërkesa e tyre të miratohet me shumicë të thjeshtë votash të Asamblesë së Shëndetit.
Pavarësisht se Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, zyra e saj në Kosovë ka qenë e pranishme që nga viti 1998.