Morgan Stanley: SHBA mund të shmangë recesionin në 2023, por Evropa jo

Morgan Stanley: SHBA mund të shmangë recesionin në 2023, por Evropa jo

Britania e Madhe dhe ekonomitë e Eurozonës ka të ngjarë të bien në recesion vitin e ardhshëm, por Shtetet e Bashkuara mund të shpëtojnë me vështirësi falë një tregu elastik të punës, njoftoi banka e investimeve Morgan Stanley.

Rihapja e pritshme e Kinës pas gati tre vjet kontroll të COVID-19 duhet të rezultojë në rimëkëmbjen e ekonomisë së saj, si dhe të tregjeve të tjera aziatike në zhvillim, vlerësojnë analistët e bankës së investimeve.

Për vitin 2023, ata parashikojnë rritjen e ekonomisë globale me 2.2 për qind, që është nën vlerësimin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar prej 2.7 për qind rritje.

Për vitin e ardhshëm, Morgan Stanley parashikon një ndarje midis ekonomive të zhvilluara “në recesion ose afër tij”, ndërsa ekonomitë në zhvillim “do të rimëkëmben në mënyrë modeste”.


Ai vlerëson se ekonomia kineze do të rritet me pesë për qind vitin e ardhshëm, mbi rritjen prej 3.7 për qind që pritet për tregjet në zhvillim, ndërsa rritja mesatare në grupin e 10 vendeve të zhvilluara parashikohet me një normë prej vetëm 0.3 për qind.

Bankat qendrore në mbarë botën kanë rritur normat e interesit këtë vit për të frenuar inflacionin.

Morgan Stanley vlerëson se banka qendrore amerikane Fed do t’i mbajë normat e larta në 2023 pasi inflacioni do të mbetet i lartë pasi të arrijë kulmin në tremujorin e katërt të këtij viti.

“Ekonomia e SHBA-së do të shmangë për pak një recesion në vitin 2023, por ulja për shkak të një ngadalësimi të konsiderueshëm të rritjes së punësimit nuk do të jetë aq e butë, ndërsa shkalla e papunësisë do të vazhdojë të rritet”, thuhet në raport, i cili parashikon rritje të PBB-së së SHBA-së prej 0.5 për qind në vitin e ardhshëm.

Video