“Sky Sport Italia” bën të ditur se Alvaro Morata po kryen testet mjekësore në Madrid për Milanin dhe do të nënshkruajë një kontratë me kuqezinjtë gjatë ditës së sotme.
Kapiteni i Spanjës, që së fundmi fitoi trofeun e Euro 2024 me kombëtaren e tij, së shpejti do të bëhet lojtari më i ri i Milanit, raporton KosovaPress.
Drejtorët e Milanit kanë mbërritur në kryeqytetin spanjoll për të ndjekur testet e Moratas dhe do të vendosin në letër një marrëveshje me spanjollin më vonë sot.
Sipas raportit, Morata do të nënshkruajë kontratën e tij me Milanin në një zyrë noteriale në kryeqytetin spanjoll pas kalimit të ekzaminimeve mjekësore.
Një ish-sulmues i Juventusit, Morata kaloi katër vjet në Torino, duke shënuar 59 gola në 185 ndeshje me “Zonjën e Vjetër”.
Në sezonin e fundit me Atleticon, ai shënoi 21 herë në 48 ndeshje në të gjitha garat dhe gjatë Euro 2024, ai e gjeti rrjetën një herë në shtatë paraqitje.