Mohimi i martesave mes gjinisë së njëjtë, shkelje e të drejtave të njeriut

Mohimi i martesave mes gjinisë së njëjtë, shkelje e të drejtave të njeriut

Mos rregullimi i martesave mes seksit të njëjtë në Kodin Civil po konsiderohet si shkelje e të drejtave të njeriut dhe të drejtave që iu garantohen me Kushtetutë komunitetit LGBT.

Kështu u tha në konferencën “Kodi civil dhe gjithëpërfshirja: Martesat e seksit të njëjtë”, që u mbajt sot në kuadër të “Javës së krenarisë”.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili tha se për të pasur avancim në të drejtën për martesë mes seksit të njëjtë duhet të sfidohen institucionet.

Ai u shpreh i bindur se nëse një çift homoseksual aplikon për martesë në komunën  që e udhëheq do të refuzohen, por kjo tha se do të shërbente që të sfidohej edhe në instancat e tjera të drejtësisë.

“Pa pasur një rast të një qifti që vjen me u martu dhe me i kërku të drejtat e tyre sikurse qiftet e tjera heteroseksuale vështirë se mund të kemi avancim, sepse nuk e kemi provuar atë që e kemi në letër. Unë ju garantoj që Komuna e Prishtinës do t’iu refuzojë, ju garantoj. Pra, nuk ka ofiqarë që e nënshkruan martesën në mes dy personave të gjinisë së njëjtë, sepse e keni Ligjin për familje i cili thotë martesa është në mes të mashkullit dhe femrës dhe ky është definicioni. Mirëpo kjo kërkohet që një institucion ta refuzojë një të drejtë që e garanton Kushtetuta në mënyrë që të kemi rastin që këtë pastaj ta sfidojmë deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila duhet ta jep interpretimin e që të shfrytëzohet si precedentë edhe për rastet e tjera. Në qoftë se nuk është kështu atëherë patjetër që legjislacionin mund ta ndryshojmë, nëse nuk është kështu atëherë do t’i shtyjmë edhe deputetët edhe subjektet politike që të diskutojnë më shumë për këtë çështje, sepse po e them avancimet më të mëdha jo vetëm në Kosovë dhe jo vetëm për të drejtat e këtij komuniteti kanë ndodhur nëpër botë kur janë sfiduar sistemet”, tha ai.


Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, tha se çdo njeri duhet t’i gëzojë të drejtat fundamentale, përfshirë edhe martesën mes seksit të njëjtë.

“Sa i përket martesës, pra çështjet civile është e vogël në dukje por është shumë fundamentale në atë se si ne i qasemi çështjes së të drejtave të këtij komuniteti, por jo vetëm të këtij komuniteti dhe diskriminimi në këtë fushë është bërë urgjente jo vetëm në Kosovë por është bërë në gjithë botën…Diskriminimi ende mbetet i pranishëm në tërë botën ndaj tyre dhe është ndoshta vështirësuar për shkak të pandemisë COVID-19 dhe kjo është e papranueshme, çdo kush, çdo njëri ka të drejtë t’i gëzojë të drejtat e tij apo saj fundamentale pavarësisht orientimit të tij apo të saj seksual”, tha ajo.

Liridon Veliu, nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore-CSGD, tha se mos përfshirja e martesës së seksit të njëjtë në Kodin Civil është një shkelje e të drejtave të njeriut.

“Ne konsiderojmë se mos përfshirja apo mos rregullimi i martesës në mes seksit të njëjtë është diskriminim social dhe ekonomik, është shkelje e të drejtës për jetë, për privatësi dhe të drejtës në familje dhe këto të drejta të barabarta i garanton Kushtetuta”, tha ai.

“Java e krenarisë”, këtë vit është duke u zhvilluar nën moton “Bashkë dhe krenarë”.

Lexo edhe

Video