MKRS dhe UP bashkë për projektin e memorializimit të fëmijëve të vrarë në luftë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar memorandum me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”  për hartimin e dokumentit narrativ dhe zbatimin e projektit të memorializimit për fëmijët e vrarë apo zhdukur gjatë luftës  së fundit në Kosovë.

Puna e konsultimeve dhe narrativës për këtë projekt pritet të nis qysh nga ky muaj dhe pritet të përfundoj në gusht, ndërsa në shtator të po këtij viti parashihet të hapet konkurs ndërkombëtar.

Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku u shpreh se ky projekt është shumë i rëndësishëm për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës.

Ai tha se do të konsultohen me familjarët e fëmijëve viktimë gjatë luftës, por edhe fëmijët e mbijetuar dhe dëshmitarë të tjerë me qëllim që ky projekt të jetë i dinjitetshëm.

“Një projekt i rëndësisë së veçantë për shtetin  dhe shoqërinë tonë. Përgjatë këtij  viti me ndjeshmëri dhe gjithë përfshirje synohet që të takohen dhe konsultohen familjarët e fëmijëve mbi format  e memorializimit dhe projektin e memorialit për fëmijët e vrarë. Pas kësaj faze me imputet e familjarëve të fëmijëve dhe komunitetit të gjerë do të shpallet konkursi ndërkombëtar  -për hartimin e projektit të memorialit…askush më shumë se ata që kanë humbur fëmijët nuk dinë të na tregojnë dhe rrëfejnë këto krime dhe tmerre që ka shkaktuar Serbia në Kosovë. Për këtë projekt bashkarisht zotohemi se do t’i dedikojmë të gjitha burimet e nevojshme njerëzore, financiare për zbatimin e plotë në kohë dhe standarde të plota. Brenda dy viteve shpresojmë t’i dhurojmë diçka të dinjitetshme publikut dhe familjarëve të fëmijëve viktimë, një memorial që kontribuon në kujtesën e tyre për jetë përballë të gjitha gjeneratave të ardhshme”, theksoi ai.


Ministri, Çeku u shpreh po ashtu se kurdo që ndërtohet ai memorial dhe çfarë do forme ai duhet të jetë projekt që në mënyrën më të mirë do të paraqes kujtimin për fëmijët e vrarë dhe zhdukur gjatë luftës.

Sipas tij forma e këtij projekti të memorializimit do të dihet tek pas përfundimit të konsultimeve, prandaj theksoi se ende nuk dihet kostoja e tij.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi ka shprehur gaditshmërinë e plotë të këtij institucioni për projektin e memorializimit të fëmijëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas tij  do të punojnë në dizajnimin sa më të saktë metodik të konceptit në mënyrë që rezultati të jetë dinjitoz dhe propocional me qëllimin.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka vendosur kontakte përmes të cilave të gjithë të interesuarit mund të bëhen  pjesë e konsultimeve për projektin e memorialit të fëmijëve të vrarë  dhe zhdukur gjatë luftës në Kosovës. Kontaktet janë : 046-222 -006  apo email [email protected]. /B.Ibishi/

Lexo edhe

Video