MKRS për kthimin e artefakteve nga Serbia: Kërkesa legjitime, presim rezultate konkrete

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka mbështetur kërkesën e Muzeut Kombëtar të Kosovës drejtuar Muzeut të Beogradit për kthimin e artefakteve që vazhdojnë të mbahen në Serbi.

Këshilltarja e ministrit të MKRS-së, Nora Arapi thotë për KosovaPress se kjo kërkesë është legjitime dhe se do të mbështetet edhe me hapa ligjor.

Numri total i artefakteve të koleksionit arkeologjik dhe etnografik të Kosovës që mbahen padrejtësisht në Serbi është 1247. Kërkesa për kthimin e tyre në Kosovë Arapi thotë se është bazuar në Konventën Ndërkombëtare të UNESCO-s.

“Ne e kemi mbështetur Muzeun Kombëtar të Kosovës në letrën zyrtare drejtuar Muzeut kombëtar në Beograd, ku faktikisht kërkesa e tyre ka qenë legjitime dhe e bazuar në Konventën Ndërkombëtare të UNESCO-s dhe në dispozita ligjore dhe mendojmë që hapat që do të ndjekë qeveria dhe ministria do të jenë hapa ligjor, kërkesa për zbatimin e hapave ligjor… Në pjesën e fundit të letrës nëse e keni vërejtur propozohet themelimi i një grupi punues me profesionistë nga Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe të Beogradit me përfshirje të profesionistëve ndërkombëtarë, për të menaxhuar dhe për të shikuar mënyrën sesi do të bëhet ky transmetim ngase këto artefakte janë pasuri e përbashkët e Republikës së Kosovës dhe kthimi i tyre është kërkesë legjitime”, thotë ajo.

Arapi beson që me inicimin e kësaj çështjeje do të ketë edhe rezultate konkrete.

“Ne jemi duke ndërmarrë hapat zyrtarë, duke u bazuar në dispozitat ligjore dhe mendoj se më inicim të hapave zyrtarë mund të presim edhe rezultate”, thotë Arapi.


Sa i përket dokumentacionit që posedon Kosova për artefaktet që tash e sa kohë i ka Serbia, Arapi tha se është Muzeu Kombëtar i Kosovës që ka të dhënat teknike për koleksionin arkeologjik dhe etnologjik që është larguar nga Kosova.

Ajo thotë se nuk ka një afat kohor se kur pritet që Serbia të përgjigjet karshi kërkesës së palës kosovare, porse shprehet optimiste se kjo iniciativë do të përfundojë me rezultate konkrete.

“Në kërkesë nuk është specifikuar afati kohor por t’i japim mundësinë, të presim… Është hapi i parë konkret zyrtar që është ndërmarrë deritash sepse nuk është adresuar zyrtarisht deritani zyrtarisht kjo temë në Serbi. Është diskutuar si temë, por nuk ka pasur diçka zyrtare”, thotë ajo.

Dje, drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, ka bërë të ditur se i është drejtuar me një letër Muzeut Kombëtar në Beograd, Muzeut Etnografik në Beograd dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve me kërkesën për kthimin e artefakteve që i takojnë Republikës së Kosovës e që mbahen ende në Serbi.

Këtë kërkesë të Muzeut Kombëtar të Kosovës e ka mbështetur edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ajo e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Numri total i artefakteve të koleksionit arkeologjik dhe etnografik të Kosovës që mbahen padrejtësisht në Serbi është 1247. Ato duhet të kthehen sa me parë në vendin e tyre të origjinës. Për të realizuar këtë detyrim, propozoj themelimin e një grupi punues të përbërë nga përfaqësues (nga një zyrtar) të katër muzeve: Muzeu Kombëtar i Kosovës, Muzeu Etnografik i Kosovës, Muzeu Kombëtar në Beograd dhe Muzeu Etnografik në Beograd, si dhe profesionistë ndërkombëtarë të muzeologjisë. Detyra e këtij grupi punues do të ishte hartimi i planit dhe mbikëqyrja e procesit të kthimit të të gjitha artefakteve në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në këtë letër.

KosovaPress ka kontaktuar drejtorin e Muzeut Kombëtar të Kosovës lidhur me këtë çështje, por i njëjti është përgjigjur se nuk ka asgjë për të shtuar përveç letrës së publikuar mbrëmë.

Lexo edhe

Video