MKRS ndan çmimin për vepër jetësore dhe vjetore në fushën e artit pamor

MKRS ndan çmimin për vepër jetësore dhe vjetore në fushën e artit pamor

Në Ministrinë e Kulturës u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve vjetore në fushën e arteve pamore. Të martën, çmimi kombëtar për vepër jetësore, “Muslim Mulliqi” është dhënë për Agush Beqirin, ndërkaq çmimi vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor për Faik Krasniqin.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se këto çmime janë mirënjohje për kontributin e artistëve në këtë fushë të artit.
“Jam shumë i lumtur qe si Ministria e Kulturës, përveç instrumenteve të tjera, kemi mundësi edhe në këtë formë që t’i shpërblejmë artistët tanë. Në fakt këto nuk janë shpërblime është një lloj mirënjohje që shteti u jep artistëve edhe puna jonë në ndarjen e çmimeve bazohet në juri profesionale. Të cilët janë trupa të pavarur nga ministria dhe bëjnë punë profesionale dhe i ndajnë këto çmime në bazë të nominimeve që vijnë dhe në bazë të vlerësimeve të jurisë”, ka thënë Çeku.

Kryesuesi i jurisë për ndarjen e këtyre çmimeve, Mehmet Behluli ka arsyetuar ndarjen e çmimit kombëtar për vepër jetësore, “Muslim Mulliqi”.

“Fakti që për aktivitetin jetësor dhe veprimtarinë jetësore, e kemi obligim me i shënua themeluesit e asaj që ne e shijojmë. Ata që i kemi po provojmë vit pas viti duke falënderuar Ministrinë e Kulturës dhe shoqërisë ka filluar artin të shoh ndryshe. Një prej baballarëve, gjegjësisht themeluesve është edhe Agush Beqiri, i lindur në vitin 1932 dhe vdiq në vitin 2006[…]Agushin e kemi pasur si babë, themelues i arteve sidomos aplikative, ka qenë shumë aktiv”, ka thënë ai.

Çmimin vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor është ndarë për profesor Faik Krasniqin.


“Për veprimtarinë vjetore e kemi profesor Faik Krasniqin, i cili i përket gjeneratës së mesme të artistëve të Kosovës. Ai është profesor i dizajnit si dhe krijues në përgjithësi, një prej krijuesve më aktiv që ne kemi”, shtoi ai.

Vajza e Agushit, Florentina Beqiri-Zhubi tha se veprat e babit të saj kanë promovuar traditën dhe kulturën shqipe.

“Baba ka lënë pas vetës shumë vepra të cilat janë inspiruese dhe sidomos dhe me ngrit traditën tonë, kulturën e vjetër shqiptar. Sidomos i ka analizuar shumë kullat dhe mënyrën e jetesës. Së shpejti besoj do të del edhe libri të cilën e ka punuar, por e ka lënë pa përfunduar”, tha ajo.

E, Faik Krasniqi i cili ka marrë çmimin për vepër vjetore për të arriturat në fushën e artit pamor u shpreh se kanë qenë të anashkaluar si artist.

“Faleminderit Ministrisë së Kulturës për kujdesin, për artin. Më herët kemi qenë më të anashkaluar në këtë formë”, u shpreh ai.

Agush Beqiri dhe Faik Krasniqi kanë dhënë kontribut shumëvjeçar në fushën e arteve pamore.

Lexo edhe

Video