MKRS ndan 5 milionë euro subvencione, Osmani fton për aplikim

MKRS ndan 5 milionë euro subvencione, Osmani fton për aplikim

Me Pakon e Ringjalljes Ekonomike ndahen 5 milionë euro për sektorët e kulturës, trashëgimisë kulturore, rinisë dhe sportit.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, në një konferencë për media tha se përmes kësaj mbështetje shtesë synojnë fuqizimin e këtyre fushave pas vështirësive që shkaktoi pandemia.

Osmani tha se 2.5 milionë euro do të ndahen për kulturë dhe trashëgimi kulturore. Përmes thirrjes publike do të përkrahen projekte artistike të organizatave dhe individëve (artistëve), ndërsa pjesë e skemës së mbështetjes do të jenë edhe teatrot e qyteteve, muzetë e bibliotekat komunale.

Ndërsa, për mbështetjen e organizatave që janë aktive në sektorin e rinisë do të ndahen 500 mijë euro.

“Në mënyrë që të zbusim ndikimin negativ që pandemia ka pasur, ne si ministri kemi vendosur që prej shumës totale prej 5 milionë euro të dedikojmë për secilin sektor buxhet të veçantë. 2.5 milionë euro janë të ndara për sektorin e rinisë dhe sportit, ndërsa 2.5 milionë për kulturën, trashëgiminë kulturore. ne tashmë kemi publikuar thirrjet për aplikim, për mbështetje të projekteve në fushat e ministrisë sonë. Nga buxheti 5 milionësh përveç që do të financohet skema e pavarur kulturore, organizata sportive, organizata të trashëgimisë kulturore dhe të punonjësve të rinj, do të përfitojnë edhe institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore në nivel komunal”, tha Osmani. 


Osmani bëri të ditur se dy milionë euro nga kjo masë e mbështetjes do të ndahen edhe për zhvillimin e sportit, derisa tha se në kuadër të kulturës dhe trashëgimisë kulturore shpërndarja e këtyre fondeve do të bëhet në tri module.

“Në kuadër të kulturës dhe trashëgimisë kulturore shpërndarja e këtyre fondeve do të bëhet në tri module. Moduli i parë është thirrja publike për projektet e organizatave jo-qeveritare dhe individëve të cilët do të aplikojnë me projektet e tyre, përveç se janë në fushat e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, ndër të tjera inkuadrohen edhe nxënësit nga shkollat fillore dhe të mesme, mësimdhënësit, personat me nevoja të veçanta, komunitetet pakicë dhe gratë. Për herë të parë individët do të kenë mundësinë të marrin mbështetje në vlerë deri 25 mijë euro, ku më parë vlera maksimale e përkrahjes së individëve ka qenë 5 mijë euro… Në modulin e dytë të mbështetjes së kulturës dhe trashëgimisë kulturore është blerja e veprave të artit. Artistët, pavarësisht pandemisë kanë punuar gjatë gjithë kohës, për mes fondit të ringjalljes me blerja direkte të veprave artistike duam që ta njohim dhe ta përkrahim krijimtarinë kulturore artistike në Kosovë”, tha Osmani.

Në modulin e tretë të kësaj fushe, për herë të parë si ministri përmes bashkëpunimit me të gjitha komunat në Kosovë do të mbështesin të gjitha institucionet lokale artistike, teatrot e qyteteve,  bibliotekat komunale dhe muzetë komunal.

Për sa i përket rinisë dhe mbështetjes së organizatave që janë aktive në këtë sektor, janë ndarë 500 mijë euro nga kjo pako. Përmes thirrjes publike do të përkrahim projekte që promovojnë fuqizimin ekonomik të të rinjve, përfshirje në tregun e punës, ndërmarrësi, dhe aftësimin profesional.

Osmani i ka ftuar të gjithë individët dhe organizatat që të aplikojnë për të përfituar nga kjo skemë e mbështetjes.

Lexo edhe

Video

error: