Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Mjetet ushtarake të blera nga FSK, demantohen informatat e Serbisë dhe Rusisë

Mjetet ushtarake të blera nga FSK, demantohen informatat e Serbisë dhe Rusisë

Ushtrisë së Kosovës i është shtuar një kontingjent prej 42 automjetesh ushtarake “Humvee”. Të gjitha këto pajisje janë mbi bazën e standardeve të NATO-s, që qëllim kanë orientimin në NATO. Ky furnizim i Forcës është plotësisht në përputhje dhe në marrëveshje me partnerët ndërkombëtarë.

Kështu u tha gjatë vizitës në FSK të kryeministrit Avdullah Hoti, dhe ministrit të Mbrojtjes, Anton Quni.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se janë në proces të ngritjes së kapaciteteve, dhe se do të vazhdojnë me këto kontrata, për të vazhduar misionin e Ushtrisë së Kosovës.

“Janë 42 për Forcën e Sigurisë së Kosovës, nuk janë donacion por janë direkt në buxhetin e Republikës së Kosovës. Kanë ardhur para dy ditësh, tash jemi në procesin e pranimit teknik të tyre. Gjithmonë bazuar në kontratë që kemi, specifikat që kemi. Dhe do të shpërndahen varësisht prej prioriteteve dhe nevojave që kemi. Kjo është në vazhdimësi të procesit të ngritjes së kapaciteteve tona, bazuar në mandatin  dhe misionin e ri… Gjitha këto pajisje janë mbi bazën e standardeve ndërkombëtarë. Qëllimi, synimi, orientimi jonë është që të jemi pjesë e NATO-s. Qëllimi tjetër është që të veprojmë me partnerët tanë në të ardhmen. Ne do të jemi pjesë edhe misioneve paqeruajtëse në të ardhmen dhe pa këto pajisje pa trajnime profesionale, ne nuk mund të arrijmë qëllimin, synimin dhe misionin tonë ”, tha ai.

Komandant Ramatha se vitin e kaluar kanë pasur një donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që 24 automjete janë blerë para dy vitesh me buxhet të Kosovës.


Kryeministri Avdullah Hoti ka përgëzuar ushtarët e uniformuar, derisa ka pasur edhe një porosi për dezinformuat që kanë qarkulluar për këtë furnizim.

“Unë jam sot këtu për të demantuar çfarëdo lloje informate që del në mediat ndërkombëtare lidhur me këtë furnizim që ka pasur FSK. Është plotësisht në përputhje dhe në marrëveshje me partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka shtuar Hoti.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni tha këto 42 automjete do të shërbejnë për qëllime të ndryshme. Ndërkohë, që sipas tij dezinformatat për këtë furnizim tha se burojnë nga Serbia me qëllim të destabilizimit të ballkanit.

“Ne në vazhdën e bashkëpunimit bilateral me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kohën e fundit jemi furnizuar më një kontingjent, në mënyrën popullore të njohur “Humvee”, mjete të ndryshme për qëllime të ndryshme. Këto janë mjetet e fushës së mjekësisë, të komunikimit ,të komandimit, vëzhgimit. Të gjitha ato propaganda, apo dezinformata anti-fushatë kundër Forcës së Sigurisë të Kosovës që burim e kanë Serbinë, Rusinë janë në vazhdën e asaj që ta destabilizojnë ballkanin dhe atë gjithnjë që të dezertohen Serbia, dhe të marrin si pretekst se ato janë të rrezikuar”, ka shtuar Quni.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës është transparente, ku ka treguar se janë 2800 pjesëtarë me uniformë me buxhet 62 milionë euro. Aika theksuar se nuk ka asnjë kapacitet të industrisë ushtarake dhe gjithnjë me mesazhe paqësore. 

“ Forca e Sigurisë së Kosovës ka ekspertizë të nevojshme dhe të mjaftueshme që të vlerësojë të gjitha rreziqet që i kanosen territorit të Kosovës, institucioneve dhe qytetarëve të saj. Dhe gjithnjë duke i marrë parasysh koeficientin e rrezikut, ashtu e determinojmë edhe zhvillimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Për ne partneri strategjik janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse Serbia prej partnerëve i ka të identifikuar Rusinë. Jemi në mënyrë diametralisht në pozicione të kundërta”, theksoi Quni.

Lexo edhe

Video

error: