Mithat Frashëri, kundërshtari i komunizmit
Kulturë
Lexohet për: 2 min.
3 javë më parë
Linku u kopjua

Në Janinë më 25 mars të vitit 1889 u lind Mithat Frashëri, biri i Abdyl Frashërit, udhëheqës ushtarak i Lidhjes së Prizrenit – Mithati ishte, pra, nipi i Samiut dhe Naimit.

Mithati shkollohet në Stamboll, punësohet në administratën osmane. Ai kujtohet jo vetëm për prejardhjen, por edhe për librarinë, partinë (Balli Kombëtar), dhe kundërshtimin e komunizmit.

Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit më 14 nëntor-22 nëntor 1908. Mit'hat bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit, kryetar i Komisionit ishte Gjergj Fishta.

Në moshën 32-vjeçare u largua përfundimisht nga Stambolli dhe udhëtoi për në Shqipëri duke kaluar nga Kosova në Shkup dhe pastaj në Elbasan. Në vitin 1912, në Qeverinë e Shqipërisë, e krijuar nga Ismail Qemali, ai u zgjodh ministër i botores. Më 30 mars 1913, dha dorëheqje nga detyra prej indinjatës kundrejt qëndrimit të kryeministrit ndaj rrethimit të Janinës.

Në janar 1923 filloi detyrën e ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë. Këtë detyrë e kreu deri në dhjetor 1925. Sipas Mehdi Frashërit: “Më 1924-1925 kishte qenë përfaqësues i Shqipërisë në Athinë, i cili interesohej tepër për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Çamëri”.

Në nëntor 1944, Frashëri u largua nga Shqipëria. Vdes papritur në një hotel në Nju Jork më 3 tetor 1949, si pasojë e goditjes në zemër – spekulohet se vdiq i helmuar nga KGB-ja, ndërsa SHBA kishte filluar përgatitjet për një operacion klandestin kundër regjimit komunist në Shqipëri, ku Mithati ishte zgjedhur me konsensus kryetar komisioni koordinues mbarë shqiptar në mërgim për këtë operacion, andaj edhe vdekja e tij e papritur hodhi hije dyshimi.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024