Mishi e qumështi s’mund të sillen në Kroaci, kjo vlen edhe për udhëtarët nga Kosova

Mishi e qumështi s’mund të sillen në Kroaci, kjo vlen edhe për udhëtarët nga Kosova

Administrata Doganore Kroate publikoi sot udhëzimet se sa dhe çfarë lloj mallrash mund të transportohen përtej kufirit, sipas të cilave banorët e vendeve të treta, përfshirë Kosovën, nuk lejohen të sjellin mish, qumësht, si dhe produkte mishi e qumështi.

Këto udhëzime vlejnë edhe për Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën.

Sipas dekretit, udhëtarëve u lejohet të sjellin bagazhe personale, ku përfshihen gjëra personale të arsyeshme të nevojshme për udhëtim dhe qëndrim jashtë vendbanimit të përhershëm, si këpucë, rroba, sende higjienike, pajisje elektronike mobile, transmeton Jutarnji list.

Gjithashtu thuhet se për mallrat e importuara nga udhëtarët që banojnë jashtë territorit doganor të Bashkimit Evropian, miratohet importi i përkohshëm me përjashtim të plotë nga detyrimet e importit dhe detyrimet e tjera publike.

Shtohet se përjashtimi sasior nga taksat doganore, TVSH-ja dhe akciza i referohet produkteve si ato të duhanit dhe, për shembull, vlen për sasinë deri në 200 cigare ose 250 gramë duhan për pasagjerët në transportin ajror, derisa në transportin rrugor dhe hekurudhor, sasitë e lejuara janë pesë herë më pak.

Kur bëhet fjalë për pijet alkoolike, në këtë mënyrë është e mundur, për shembull, të futen maksimumi katër verëra ose 16 birra.

Theksohet se këto përfitime nuk vlejnë për pasagjerët nën moshën 17-vjeç.


Sipas rregullores së sipërpërmendur, ka edhe kufizime dhe ndalime sasiore për importin e ushqimeve me origjinë shtazore që pasagjerët mund të sjellin në bagazhin e tyre personal pa u kontrolluar nga inspektori veterinar kufitar.

Gjithashtu, ndër të tjera thuhet se asnjë mish, qumësht, apo produkte qumështi dhe mishi nuk mund të importohet nga vendet e treta.

Shtohet se futja e barnave të gatshme për nevojat personale të udhëtarëve është e mundur në sasitë e nevojshme për trajtim deri në një muaj, me kusht që ato të jenë të miratuara nga autoritetet kompetente të vendit të prodhimit.

Përmbajtja e bagazhit personal të pasagjerit përfshin edhe mallra të tjera, të cilat nuk bëjnë pjesë në kategorinë e specifikuar të gjërave personale të nevojshme në mënyrë të arsyeshme për udhëtim, të tilla si, për shembull, ushqimi, higjiena dhe produkte të ngjashme për përdorim personal, artikuj të përdorimit të përgjithshëm, konsumator elektronikë, suvenire, gjëra shtëpiake, artikuj luksi, rroba, këpucë…

Importi i mallrave të tjera në bagazhin personal të pasagjerit, i cili nuk plotëson kushtet e mësipërme, i nënshtrohet llogaritjes dhe mbledhjes së detyrimeve të importit.

Theksohet se lirimi nga pagesa e detyrimeve doganore, TVSH-së dhe akcizës i referohet importit të mallrave vlera e të cilave nuk kalon 3200 kuna (425 euro) për pasagjerët në transportin detar dhe ajror, 2200 kuna (292 euro) për pasagjer për llojet e tjera të transportit, si dhe 1100 kuna (146 euro) për pasagjerët nën moshën 15-vjeç, pavarësisht nga mjetet e transportit me të cilët udhëtojnë.

Personi i cili dëshiron të shfrytëzojë lirimin nga pagesa e detyrimeve doganore sipas rregullores së përmendur, duhet të paraqesë kërkesë në vendin kompetent në Republikën e Kroacisë.

Lexo edhe

Video