Mirupafshim deri në fyerjen tjetër..!

Mirupafshim deri në fyerjen tjetër..!

Liria e shprehjes gjen kufijtë e saj vetëm aty ku nuk është më çështje me interes publik, por përdoret për të poshtëruar një person për të abuzuar me pozitën, emrin dhe prestigjin e tij në shoqëri. Për gamën e kësaj mbrojtjeje është vërtetësia e një deklarate të tillë dhe kjo është e një rëndësie thelbësore. A duhet që liria e shtypit dhe transmetimit të mbrojë shpërndarjen e deklaratave të pavërteta të fakteve edhe kur media përmes tyre “jep një kontribut të duhur në formimin e opinionit dhe vullnetit publik?! Ky është rasti, për shembull, kur gazetarët citojnë përfaqësues politik të cilët bëjnë deklarata me fakte të rreme.

Në përgjithësi, përhapja e deklaratave të rreme, të fakteve të pavërteta megjithatë, nuk kontribuon në formimin e një mendimi racional dhe nuk mbrohet përmes ligjeve në fuqi, në asnjë shtet të botës. Se Kosova si shtet dhe si shoqëri akoma jeton në këtë kaos fyerjesh dhe shpifjesh e vërteton skandali i fundit me Ridvan Berishën.

Shprehjet e tija në FB ishin fyerje të cilat e cënojnë peronalitetin e një personi, grupi, komuniteti etj, e që ishin dhe janë të turpshme. Fyerja nuk mbrohet me ligj, siç mbrohen mendimet dhe opinionet, nëse ato nuk paraqesin shkelje të të drejtave të përgjithshme personale. Përhapja e tyre si të tilla edhe në mediet sociale, në portale etj, përbëjnë vepër penale, por në rastin e Kosovës, shpifja dhe fyerja nuk figurojnë në kodin penal por vetëm në ligjin civil kundër shpifjes Nr. 02/L-65. Për këtë më poshtë.

Skandali „Ridvan Berisha“

Fyerjet e Ridvan Berishës drejtuar Presidencës dhe presidentes z. Vjosa Osmanit, kryeministrit z. Albin Kurtit dhe gazetarëve kryeredaktorit të RTK-së si dhe drejtorit gjeneral të RTK-së Ngadhnjim Kastrati, ka shkaktuar rrëmujë dhe dikujt do të mund t´i krijojë alibi për ta ´discilpinuar“ ose për t´i shprehur masa disciplinore të apostrofuarëve ose për t´i denigruar ata në opinion publik.

Si ndodhi fyerja dhe kur? Ish- redaktori i RTK- së, Ridvan Berisha pasi ai ishte suspenduar nga puna, përmes një postimi në Facebook ai e ka fajësuar për këtë Qeverinë Kurti, duke shtuar se udhëheqësit e këtij mediumi, drejtues në RTK si; Festim Kabashi me Xhymret Veliun, nën mbështetjen e Ngadhnjim Kastratit janë gjoja tifozë të kësaj qeverie.

„Me suspenduan“, shkruan ai, „në ditën e parë që ju e morët ta drejtoni Qeverinë duke e kamufluar suspendimin me shkelje rregullash. Tifozët tuaj, ju, ekipi juaj Kurti i gëzoheni pa masë këtij suspendimi, siç keni bërë fushate të tmerrshme linçuese vite më parë kundër meje”, ka shkruar ai (Koha Ditore, 29.04.2021). Z. Berisha ka hedhur akuza edhe ndaj presidentes, Vjosa Osmani, siç shkruan rreth saj se gjoja edhe „tifozët e saj do t’i gëzohen këtij vendimi“.

“Uroj që këta kalkulantë të jenë në tavolinën tuaj për shpërblim, një punë ta mbaruan nën kalkulimin e qartë se e meritojnë t’i mbajnë pozitat. Ne ekran s’do të jem për sa kohë që komisioni disiplinor ta trajtojë çështjen e persekutimit, ju e zonja Osmani e tifozët toksikë tuaj natyrisht që festojnë. Por Kabashet e Veliajt e Kastratët e disa servilë, anëtarë bordi të RTK duhet ta dinë se sulmet, siç ishte ai i zotëri Thaçit vite me parë duke ma heqë emisionin, edhe kjo drame teatrale kundër meje nën pritjet për kalkulim me ju, e kane një epilog, do t ‘me japin vetëm forcë e imunitet. Turp ju qofte more të padinjitetshem! PS: Tifozët toksike, le t festojnë, ndalohen ta përlloçin facebookun tim”, ka shkruar ai“ (Koha Ditore, 29 mars 2021)

Po ashtu një ditë më vonë më 30 prill 2021 në FB Ridvan Berisha fyen rend sërish presidenten z. Vjosa Osmanin duke u shprehur në postimin e anëtarit të PSD-së, Shkodran Hotit i cili shkruante se Vjosa Osmani është dashur ta pres urimin e Kurtit për ta uruar Ramën për fitoren në zgjedhjet e 25 Prillit në Shqipëri.

Me këtë rast Berisha e ka fyer presidenten dhe presidencën me këto fjalë; „T´pshurrsha n presidencen qe e kemi, qija bre nanen, kush m u bo presidente, njeriu qe ka fitu vota me kauzen e urrejtjen anti UCK, vec Fesim e Blert Muçaj janë me te nen llogon e AAK!“

Z. Berisha nuk ndalet vetëm më këtë skandal, por vazhdoi me një status tjetër ngjashëm edhe më skandaloz po në të njëjtën ditë i cili qartazi përbën vepër penale, ku ai bën nxitje për gjakderdhje, vrasje e dhune!

„ Ky vend ka nevoje per gjak, perfundimisht, LVV ka ardhur ne pushtet me ftesen per gjak, pa e kalu kete faze nuk mund te kemi normalitet, Gerrnaqat qe jetojne lluksin perendimore duhet ta dijne kete, por mos vajtoni pastaj!“

Pse ligji për shpifje dhe fyerje nuk po gjen zbatim?

Përgjigjen mund ta gjejmë në zbrazëtitë e ligjit por edhe në ´dekriminalizimin´ e tij nga kasta politike e deri tanishme dhe grupe të interesit të cilët thirren në shprehjen e mendimit të lirë. Fajtor për këtë kaos janë personalitete të establishmentit të ish-qeverive të më parshme të cilët nuk pranuan që dy kodet, ai i shpifjes dhe fyerjes, nenet e dikurshme 37 dhe 38 të cilat i hoqën nga kodi penal i Republikës së Kosovës pas presionit të ushtruar nga mediet mbi politikën. Por, për dallim nga Republika e Kosovës, dy nenet e tilla nuk i kanë hequr nga kodi i tyre penal shtetet si; Gjermania, Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia etj. Fajin për heqjen ja hedhin ish- ministrit të Drejtësisë nga radhët e PDK-së Hajredin Kuçit.

Juristja e së drejtës së medias Flutura Kusari thotë se me këtë është bërë ´dekriminalizimi´ i neneve të lartëpërmendura të cilat thuhet se me futjen e tyre në kodin penal ishte bërë ´kriminalizimi“ i tyre. ´Dekriminalizimi´ sipas z. Flutura Kusari është bërë pikërisht me miratimin dhe hyrjen në fuqi të ligjit civil kundër shpifjes dhe fyerjes nr. 02/L-65, i cili hyri në fuqi më 1 maj 2008 dhe më pas u botua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Ky ligj civil sanksionon respektimin e standardeve ndërkombëtare „për të drejtat e njeriut si dhe të lirisë së shprehjes dhe për parandalimin e gjuhës së shpifjes dhe fyerjes“ në mediat klasike audiovizive dhe ato të shtypit por nuk përmend në asnjë nen parandalimin e shpifjes dhe fyerjes në rrjetet sociale si FB, Twitter, Instagram ect, me të cilat publiku është duke u ballafaquar në masë të madhe kohëve të fundit. Përderi sa as ligji kundër shpifjes dhe fyerjes nuk përfshin aktet e tilla shprehur në portale online, rrjetet dhe mediet sociale. Rregullore të tilla nuk posedojnë as mediet e Kosovës, përfshirë këtu RTK-në, KTV-në, RTV 21, TV-Dukagjinin, T7, dhe mediet e shtypit dhe ato online, të cilat nuk kanë rregullore përmes të cilave do të sanksiononin shpifjet dhe fyerjet në mediumet e tyre, përpos që ato i kanë të sanksionuara si standarde etike të sjelljes së gazetarëve në mediumin e tyre, por jo edhe për shprehjen e lirë në mediet sociale, sanksionimin e shpifjes dhe fyerjes.

Përdallim prej praktikave kosovare,shumë media dhe ndërmarrje ndërkombëtare kanë vendosur rregulla të rrepta për Twitter dhe Facebook për punonjësit e medieve. Për shembull mediumi publik gjerman ARD dhe ZDF gjithashtu kanë udhëzime nga viti 2011. Ngjashëm edhe ORF-ja austriake ka miratur rregulloren e saj nga viti 2012.

Rregullorja e ZDF-it e përcakton, ndër të tjera, se çdo punonjës është personalisht përgjegjës për përmbajtjen që poston në bloge, wikis ose rrjete të tjera sociale. Disa shembuj kur u shfaqenë konfliktet: Një postim në Facebook nga Zëvendës Kancelari dhe drejtuesi i FPÖ Heinz-Christian Strache provokoi zemërimin, në të cilin ai e përshkroi programin e lajmeve të moderatorit Armin Wolf si një “vend ku gënjeshtrat bëhen lajm”. Në një letër të hapur drejtuar kancelarit të Austrisë Sebastian Kurz (PVP), gazetarët kryesorë gjermanë dhe punëtorët e kulturës më pas kritikuan sulmet e FPÖ ndaj transmetuesit. Strache i kërkoi falje moderatorit. Ndërsa Shoqata Gjermane e Gazetarëve (DJV) ndan këtë vlerësim: Nga këndvështrimi i kryetarit të shoqatës Frank Überall, ky „disciplinim“ është një tendencë e çuditshme në ORF, mediumi publik i cili dëshiron të ndalojë opinionet politike me “udhëzime”. “Nëse një deklaratë në mediat sociale, siç është ajo në Twitter ose FB është e njohur si private, nuk mund ta ndalosh”, thotë ai dhe e interpreton këtë intervenim vetëm si një kufizim i lirisë së shprehjes.


Se sa eshtë bërë e rëndësishme qasja dhe kontrolli në rrjetet sociale e dëshmon Gjermania. Shteti gjerman, sipas mediumit publik gjerman ZDF, ka filluar t‘ i ‚kontrollojë’ kritikët, konspiracionistët që nuk po pajtohen me mendimin dominant të mainstream-it edhe lidhur me pandeminë. Media si pushtet i katërt edhe këtu është në të njëjten linjë të mainstreamit me qeverinë dhe vendimet parlamentare dhe qeveritare.Shteti, pra, do i vrojtojë jo vetëm pjestarët e ekstremit të djathtë dhe të majtë, neonacistët, grupe dhe individ të ekstremit fetar musliman por edhe individët privat dhe rrjete grupesh dhe iniciativa tjera sociale. Këtë një javë, një grup i artistëve, aktorëve gjermanë përhapi kampanjen „ Mbyllni te gjitha“ duke kritikuar masat kundër Covid-19 te ndërmarra nga qeveria gjermane. Mendimi ndryshe ‚Querdenker’ konsiderihet si sabotim ndaj vendimeve të qeverisë nëse një grup, individ përhap mendime kundër masave anti Covid-19 në Face Book, ose bënë thirrje për demonstratë ose merrë pjesë në to.

Debati në SHBA lidhur me rregulloret e medieve sociale

Kjo çështje u bë temë debati edhe në mediat e SHBA-së nga viti 2018 e këndej, sidmos me ardhjen në pushtet të Presidentit D. Trump. Edhe gazet “New York Times” nga tetori i vitit 2018 ka aprovuar rregulla për përdorimin e mediave sociale të punonjësve të saj: Ata nuk duhet të dëmtojnë reputacionin e gazetës. Redaktorët e Times nuk do të lejohen të shprehin mendime të njëanshme, të promovojnë pikëpamje politike, të mbështesin kandidatët, të bëjnë komente ofenduese ose të bëjnë ndonjë gjë tjetër që mund të dëmtojë reputacionin e Times. Për më tepër, redaktorët duhet të komentojnë vetëm në lidhje me një temë nëse ata kanë raportuar për të në mënyrë të detajuar dhe objektive.

Kjo atmosferë e “nervozizmit të madh”, sipas shkencetarit gjerman Bernhard Pörksen është e kundërta e asaj që konsiderohet ideali i diskutimit politik, përkatësisht shkëmbimi i llojllojshëm, respektues, racional dhe i thellë i argumenteve. Vetë-dyshimi dhe gatishmëria për t’u bindur me argumente më të mira formojnë thelbin e një kuptimi të diskutueshëm të publikut.

Një konflikt interesash kishte edhe Glenn Thrush – gazetari prestigjiozin i New York Times, i cili raportonte nga Shtëpia e Bardhë. Redaktori është i njohur edhe për raportimet e tij live në Twitter. Ai hulumton në mënyrë të drejtpërdrejtë, boton informacione të reja, ndonjëherë ballafaqohet me lexuesit sepse kritikonte presidentin e SHBA Donald Trump. Ai në Twitter jo vetëm që e shau atë, por edhe punëdhënësin e tij. “Unë mendoj se shefat e mi janë goxha të lumtur që unë ndalem të bëj tweet,” tha gazetari. Ndërsa kryeredaktori Dean Baquet shprehet se ” ne gjithashtu duhet të sigurohemi që të veprojmë me përgjegjësi në mediat sociale në përputhje me vlerat e ekipit tonë redaktues.”

Sipas tij, “të gjithë kanë të drejtën e shprehjes së mendimit”. Udhëzimet për mediat sociale natyrisht nuk janë të reja. Në shumicën e shtëpive kryesore të mediave, tani është praktikë e zakonshme të vendosni rregulla për të zbutur gazetarët tuaj. Por ato nuk janë njësoj kudo, shpjegon Matthias Karmasin, shkencëtar i komunikimit në Universitetin e Klagenfurt. “Ekzistojnë dallime të mëdha kulturore. Në Shtetet e Bashkuara, gazetari është në një mënyrë të formuar nga Puritanizmi. Nëse diçka mendohet ose bëhet, atë e bën në mënyrë radikale,” thotë eksperti. Në të kundërt, ky nuk është rasti në Evropë. Edhe pse ekzistojnë “udhëzime” se si redaktorët duhet të sillen në internet, këto kuptohen si rekomandime dhe duhet të përputhen me rrethanat e vendit të caktuar.

Si është gjendja në Kosovë?

Shumica e medieve dhe kompanive kosovare, të cilat operojnë në media sociale si Facebook, Twitter, LinkedIn ose Xing, nuk kanë miratur rregulloret (Guidelines) e tyre të brendshme. Fajin për këtë boshllëk e ka s´pari edhe shteti sepse ligji kundër shpifjes nuk e sanksionon shpifjen dhe fyerjen në rrjetet dhe mediat sociale. Ligji në këtë rast e përmend në nenin 4 pika 4.2 vetëm shprehjen e përgjithshme në qoftë se shpifja dhe fyerja është kryer „përmes një mediumi masiv“. Me këtë shprehje krijohen keqkuptime sepse nuk dihet se a bëjnë pjesë mediat sociale tek „mediet masive“, gjegjësisht me shtrirje të gjerë? Mbase shpifjet dhe fyerjet janë të përditshme në rrjetet sociale se sa ato ta zëmë në mediat klasike, kjo tregon se ligji nuk i sanksionon ato.

Nëse një person natyror, juridik apo edhe zyrtar i shtetit fyhet ose shpifet ndaj tij nga një person, media etj, ai mund „të inicojë procedurën kundër shpifjes dhe fyerjes para gjykatës 3 kompetente sipas këtij ligji, me kusht që shpifja dhe fyerja i ka shkaktuar dëm atij ose ka dëmtuar reputacionin e tij. Konfusion shkakton tek lexuesi edhe neni 5 pika 5.3. i cili e legjitimon shpifjen dhe fyerjen kur ka të bëjë me një çështje të interesit publik.

Ligji, thuhet se „ka për qëllim të rregullojë përgjegjësinë civile për shpifje dhe fyerje“ dhe nën pikën b) saktësohet se kjo bëhet të mos vëje kufij të paarsyeshëm mbi lirinë e shprehjes. Ligji gjithashtu e lejon fyerjen dhe shpifjen nëse, siç thuhet, mundëson „publikimin dhe diskutimin e çështjeve me interes të rëndësishëm për publikun”. Ligji në fjalë e bën përkufizimin se çfarë nënkuptojmë me „shpifjen“, kjo „nënkupton publikimin e një fakti ose deklarate të pavërtetë të cilën publikuesi e din ose është dashur ta dijë se fakti dhe deklarata është e pavërtetë, kuptimi i së cilës dëmton reputacionin e një personi tjetër.“

Ndërsa në nenin 3 pikën b) jepet nocioni për fyerjen. Me këtë nënkuptohet deklarimi, sjellja, publikimi i deklaratës „të drejtuar ndaj një personi tjetër e cila është nënçmuese.“. Ligji në fjalë nuk përcakton me shembuj se në cilat raste do kishm zë bënim me shpifje dhe kur me fyerje? Pasiqë mungojnë edhe ekspertët e kësaj fushe, gjyqi mbetet instanca e fundit e cila vendos se në cilat raste bëhet fjalë për fyerje e në cilat jo.

 Gjithashtu edhe pse ligji i përmend kompensimet „efektive dhe të përshtatshme për personat të cilëve u është dëmtuar reputacioni nga shpifja dhe fyerja,në fakt nenet tjera e përjashtojnë atë. Për shembull: Me Nenin 5 pika 5.4. u ndalohet „paraqitja e kërkesës për kompensim“ nga autoritetet publike. Zyrtarët publik sipas këtij neni „mund të paraqesin kërkesë për kompensim e dëmit nga shpifja apo fyerja privatisht dhe ekskluzivisht në kapacitetin e tyre personal.“

Gjithashtu edhe kur kryhet shpifja dhe fyerja (shih rastin e Ridvan Berishës) ligji në fjalë e shfajëson autorin e shprehjeve fyese nëse autori e tërheq ose e shmang publikimin e materialit. Por, problematike mbtet çështja nëse i apostrofuari e ka tërhequr fyerjen, edhe pse mediat kanë raportuar dhe në fakt fyerja ka marrë dhenë, dëmi është bërë, prandaj nuk duhet asesi të reduktohet kompensimi dhe dëmshpërblim për të dëmtuarin.

Mangësia e këtij ligji qëndron edhe për faktin se ky ligj (shih nenin 12) i kërkon të dëmtuarit „të ndërmarrë të gjitha masat e arsyeshme për të zbutur çdo dëm të shkaktuar nga shprehja“ ku thuhet: „Në veçanti, paditësi do të kërkojë përmirësimin e asaj shprehje nga personi i cili pretendohet të ketë shkaktuar dëmin. Veprimet e tilla mund të përfshijnë kërkesën e përmirësimit të shprehjes së supozuar shpifëse apo fyese nga publikuesi dhe paraqitjen e kërkesës para organit kompetent rregullativ sikurse (Komisioni i Pavarur për Media) ose Organi vetërregullativ sikurse (Këshilli për Mediat e Shtypura). „

Shihet qartë se ligji nuk i referohet fare shprehjeve fyese në mediet sociale, dhe siç thamë, ai kërkon kërkimfalje, zbutje të shprehjeve nga i akuzuar, në vend se të ndodh e kundërta. Kjo trysni e detyron të dëmtuarin të tërhiqet dhe të pajtohet me fyerjen, që ajo të zbutet, por cënimi i nderit, poshtërimi nuk mund të zbutet (zhbëhet) duke kërkuar nga keqbërsi lëmosh dhe mirëkuptim.

Gjithashtu edhe neni 15 e saktëson qartë në pikën 15.1. se „kompensimi për fyerje mund të caktohet vetëm në rast se personat në kuptim të nenit 5.2 të këtij ligji nuk e përmbushin obligimin për të hedhur poshtë informacionin, ose në rast se e përsërisin informacionin fyes pas një urdhërese gjyqësore që ndalon përsëritjen e tillë.“

Këto zbrazëti gjithsesi ju japin hapësirë secilit të fyejnë personalitetet shtetërore, publike, personat natyror dhe ata juridik, kështu që të paditurit, me një tëheqje ose kërkimfalje do të shpëtojnë nga dënimi, prandaj shumë prej tyre, siç ishte rasti me Ridvan Berishën -dhe pse nuk është rast i vetëm dhe i pari-, e pranojnë këtë pajtim të shpifin dhe të fyejnë sa herë kur ata duan dhe kur ju shkon atyre për shtati, me synimin, për të realizuar një qëllim politik, për të dëmtuar dhe deniguar dike në opinionin publik, pavarësisht se në cilën platformë mediale kryehet akti fyes, shpifës. Prandaj, përfund nuk na mbetet gjë tjetër pos të themi: Mirupafshim, deri në fyerjen tjetër!

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: