Mirëpritet miratimi i Strategjisë për sundim të ligjit, njohësit: Duhet zbatim!

Miratimi i Strategjisë për sundimin e ligjit 2021-2026 po shihet si dokument shumë i nevojshëm për të përmirësuar sundimin e ligjit në Kosovë. Njohësit e sistemit të drejtësisë po konsiderojnë që përmes kësaj strategjie Kosova tashmë ka pasqyrë më të qartë lidhur me gjendjen në këtë sektor dhe ka plan konkret për përmirësimin e sektorit të drejtësisë dhe sigurisë. Strategjia e miratuar sot është afatizuar në pesë vite dhe do të fillojë nga mesi i këtij viti deri në mesin e vitit 2026.

Sektori i sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës ballafaqohet me sfida të ndryshme dhe kjo ka ndikuar në besimin e ultë të opinionit publik në institucionet e Republikës së Kosovës. Për këtë shkak, ekzekutivi lansoi rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit. Sipas qeverisë, gjatë këtij rishikimi janë identifikuar të metat në sistemin gjyqësor, drejtësinë penale, qasjen në drejtësi dhe në shërbimet jo-gjyqësore dhe antikorrupsion çka solli deri të strategjia e miratuar sot.

Miratimin e kësaj strategjie e ka quajtur të jashtëzakonshëm si veprim, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj i cili thotë se kjo strategji ofron veprime konkrete që duhet të ndërmerren qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese ligjore apo në aspektin institucional për të përmirësuar aspektin e sundimit të ligjit.

“Përmes miratimit të kësaj strategjie më në fund Kosova ka një pasqyrë të qartë lidhur me gjendjen në sektorin në sundim të ligjit pothuajse në të gjitha fushat duke filluar nga sistemi gjyqësor, prokurorial, drejtësisë penale, administrative, civile, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të gjitha fushave që prek sundimin e ligjit. Kjo strategji mund të themi se është një hap jashtëzakonisht i mirë miratimi i saj për arsye se përveç identifikimit të problemeve që ka sot Kosova në këtë fushë, po ashtu janë paraparë masa dhe veprime konkrete që duhet të ndërmerren qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese ligjore apo në aspektin institucional për të përmirësuar gjendjen në të cilën gjendet Kosova. Miratimi i kësaj strategjie mund të themi që është vetëm faza e parë e rëndësishme për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe tani mbetet dhe do varet se sa do ketë vullnet politik, Kuvendi, partia në pushtet dhe institucionet e tjera si KGJK, KPK për të pasur koordinim për të miratuar të gjitha veprimet që janë paraparë”, tha Miftaraj.

Miftaraj thotë se kjo strategji pesëvjeçare përfshin qindra veprime të cilat nëse zbatohen brenda tre apo katër viteve mund të vërehen ndryshimet.

“Mund të themi se janë me qindra veprime që duhet të ndërmerren dhe nëse kjo do të bëhet në mënyrë të koordinuar dhe në bazë të asaj që strategjia mund të themi që për tre apo katër vitesh mund të ndryshojë edhe qasja edhe atë se si qytetarët e perceptojnë edhe e shohin sistemin e drejtësisë në Kosovë. […] 02’38 Mund të themi se kjo strategji prek çdo fushë që mund të ndërlidhet edhe me qasjen që kanë të bëjnë me qytetarin ku hyjnë padyshim trajtimi i rasteve të tyre në çështje penale e administrative brenda një afati të arsyeshëm kohor ku qytetarët kanë problemet kryesore, kjo strategji hyn edhe tek pjesa e integritetit ku padyshim që lidhet edhe procesi i vettingut”, theksoi ai.


Iniciativë të nevojshme miratimin e kësaj strategjike e ka konsideruar edhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Rreze Hoxha nga GLPS thotë se Strategjia për sundimin e ligjit 2021-2026 adreson problemet kryesore të sundimit të ligjit, prandaj ajo kërkon që edhe institucionet e përfshira por edhe vetë qeveria të jetë aktive në monitorimin e zbatimit të saj.

“Një strategji për zgjidhjen e këtyre problemeve ka qenë mëse e nevojshme, strategjia konkrete që është miratuar sot adreson disa prej problemeve kryesore tek sundimit të ligjit dhe e njëjta ka ardhur si rrjedhojë e procesit të rishikimit funksional të sundimit të ligjit, dhe për të njëjtën përpos miratimit kërkohet që Qeveria të jetë aktive edhe në monitorimin e zbatimit të saj. Thënë këtë përpos zbatimit të aktiviteteve ose të planit të punës që është i paraparë në këtë strategji konsiderojmë se duhet të matet edhe impakti që këto veprime konkrete do të kenë në sistemin e drejtësisë në tërësi. Më saktësisht tek gjykatat dhe prokuroritë meqë konsiderohet se këto janë institucionet të cilat kanë numrin e problemeve të shumta”, deklaroi Hoxha.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës në një konferencë për media tha se Strategjia për sundimin e ligjit 2021-2026 përmban objektiva të qarta që lidhen me fuqizimin e gjyqësorit, prokurorisë, drejtësisë penale.

“Përmes këtij procesi janë identifikuar problemet e institucioneve të drejtësisë, por po ashtu edhe të institucioneve të sigurisë më tutje janë dhënë rekomandime konkrete se si do të adresohen ato dhe si të eliminohen problemet që i kemi në sistemin e drejtësisë dhe sigurisë. Strategjia përmban objektiva strategjike që lidhen direkt me fuqizimin e gjyqësorit por edhe të prokurorisë, fuqizimin e drejtësisë penale, fuqizimin e qasjes në drejtësi dhe fuqizimi e luftës kundër korrupsionit… Pas këtij dokumenti do jetë radha e vettingut në sistemin e drejtësisë”, tha ajo.

Strategjia për sundimin e ligjit është zhvilluar në bashkëpunim me KGjK-në, KPK-në, Akademinë e Drejtësisë, MPB-në, Agjencinë Kundër Korrupsion, Policinë e Kosovës si dhe institucionet tjera vendore duke përfshirë këtu edhe organizatat e shoqërisë civile dhe me përkrahjen e Bashkimit Evropian, Ambasadës Amerikane, Ambasadës Britanike.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.