Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit miratoi sot raportin me amendamente për Projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
E amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës shkuan për votim në seancë pa përkrahjen e Komisionit për Legjislacion.
“Grupi punues e ka përfunduar punën për Projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, ky projektligj në lexim të parë në Kuvend ka kaluar më 07.10.2022....Në këtë projektligj grupi parlamentar i PDK-së ka propozuar 6 amendamente, por që në grup punues nuk kemi arritur që të kemi pajtueshmëri, disa prej tyre janë përfshirë, por jo në kuptimin identik të fjalës dhe jo në tërësi...Konstatoj se miratohen amandamentet e komisionit në cilësi të atij funksional”, tha ai.
Anëtarët e këtij Komisioni e shqyrtuan edhe raportin me amendamente për Projektligjin për Ekspertët Gjyqësor.
Vitin e kaluar, Kuvendi i Kosovës me 58 vota për e ka miratuar Projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë, institut ky që do të funksionojë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Projektligji për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë ka për qëllim themelimin, organizimin, funksionimin dhe përcaktimin e kompetencave të Institutit për Krimet të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë./B.Ibishi/