Miqësorja me Ishujt Faroe, Giresse: Luajmë gjithmonë për të fituar

Miqësorja me Ishujt Faroe, Giresse: Luajmë gjithmonë për të fituar

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse ka folur sot në konferencë për media para ndeshjes miqësore kundër Ishujve Faroe.

Giresse tha se edhe miqësorja e nesërme, sikurse ajo me Armeninë, bënë pjesë në strategjinë për t’i jap hapësirë lojtarëve të rinj.

“Kjo miqësore, siç e kemi përmendur më herët, bënë pjesë në strategjinë për t’i japur hapësirë lojtarëve të rinj, dhe duke pretenduar që t’iu jepim minutazh atyre të cilëve nuk janë paraqitur në miqësoren e parë”, tha Giresse.

Më tej, trajneri francez tregoi objektivat për miqësoren kundër Ishujve Faroe, ku tha se skuadra e tij luan gjithmonë për fitore.

“Luajmë gjithmonë për të fituar, pastaj se a do të fitojmë apo jo nuk mund ta them tani, për atë e kem lojën nesër, mirëpo padyshim që ne përgatitemi për ta fituar këtë lojë”, tha Giresse.

I pyetur nëse lojtarët e rinj që ka grumbulluar për këto dy ndeshje miqësore do t’i bashkohen Kombëtares A, Giresse tregoi se ende nuk ka bërë një përmbledhje, dhe se atë do ta bëjë pas ndeshjes së nesërme me Ishujt Faroe.


“Fillimisht duhet ditur se nuk mund të bëjmë një bilanc ose një përmbledhje në këtë aspekt derisa të dy lojët nuk janë zhvilluar, do të thotë, është zhvilluar vetëm loja e parë. Presim që të zhvillohet edhe loja nesër pastaj mund të bëjmë një bilanc të përgjithshëm sa i përket lojtarëve të rinj të cilët mund të ftohen në të ardhmen”, tha Giresse.

Po ashtu, krahas Giresse në konferencë për media foli edhe futbollisti, Arianit Ferati, i cili tha se është shumë krenarë që është pjesë e kombëtares, ndërsa shpreson në rezultat pozitiv në ndeshjen e nesërme.

“Unë jam shumë krenarë që e kam mundësinë të jem pjesë e kombëtares dhe ajo çka mund të them është se stafi, ekipi më kanë pritur shumë mirë, edhe po kalojmë shumë mirë. Shpresoj që nesër të bëjmë një lojë të mirë dhe të kemi një rezultat të mirë.

Pas konferencës për media, “Dardanët” zhvilluan edhe seancën e fundit stërvitore para miqësores së nesërme kundër Ishujve Faroe.

Kombëtarja e Kosovës e zhvillon nesër miqësoren e dytë të muajit nëntor, ku me fillim nga ora 18:00 e pret në stadiumin “Fadil Vokrri”, Ishujt Faroe.

Kosova dhe Ishujt Faroe janë përballur tre herë mes vete, ku dy fitore kanë “Dardanët”, ndërsa në ndeshjen e fundit të zhvilluar të dy kombëtaret barazuan me rezultat 1:1.

Lexo edhe

Video