Miqësorja me Armeninë, Hysaj: Duhet fitore që ta harrojmë këtë vit

Miqësorja me Armeninë, Hysaj: Duhet fitore që ta harrojmë këtë vit

Para ndeshjes miqësore me Armeninë, në konferencë për media krahas Edoardo Rejas ka folur edhe mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Elseid Hysaj.

Hysaj tha se Shqipëria duhet që nesër të merr fitore kundër Armenisë për ta harruar këtë vit të vështirë, raporton KosovaPress.

“Besojmë që duhet të marrim një fitore sepse ka qenë një vit i vështirë dhe nuk kemi pasur fitore. Besoj që duhet një fitore për ta mbyllur dhe për të harruar këtë vit që kaloi sepse kemi kaluar momente të vështira e momente të mira. Por kështu e ka futbolli dhe të gjithë çunat e duan një fitore kundër Armenisë”, tha Hysaj.

Po ashtu, Hysaj zbuloi edhe objektivat për ndeshjen kur Armenisë, ku tha se duhet të japim maksimumin për ta marrë fitoren në fund.


“Kemi qëndruar në Kombëtare që t’i mbyllim sa më mirë miqësoret e këtij muaji. Për ne nuk ka rëndësi nëse është Armenia apo Italia. Objektivi ynë nuk ndryshon. Ndaj Italisë kishim mundësitë tona për të shënuar. Duhet të luajmë njësoj edhe kundër Armenisë, të qetë. Ta dimë vlerën tonë dhe ta dimë edhe se deri ku mund të arrijmë. Të japim maksimumin dhe besoj se do të marrim një fitore në fund”, tha Hysaj.

Për fund, Hysaj falënderoi tifozët “kuqezinj” për mbështetjen e treguar deri tani, ku i cilësoi ata si njërë ndër pikat më të forta të kombëtares.

“Me Italinë stadiumi ishte plot sepse kombëtarja italiane ka shumë mbështetës këtu, por ne jemi të vetëdijshëm se tifozët nuk na kanë braktisur kurrë. Na kanë mbështetur dhe na kanë qëndruar afër dhe na kanë mbështetur kudo ku kemi luajtur, jo vetëm në Shqipëri. Janë ndër pikat tona më të forta dhe duhet t’i falenderoj shumë, ndaj ne duhet të fitojmë ndaj Armenisë edhe për tifozët, që të mbyllim këtë vit me fitore”, tha Hysaj.

Nesër me fillim nga ora 17:45 Shqipëria do ta zhvillojë ndeshjen e fundit për këtë vit kalendarik, ku e pret në stadiumin “Air Albania” Kombëtaren e Armenisë.

Lexo edhe

Video