Ministria e Shëndetësisë nuk po licencon mjekët italianë që fëmijët të operohen në Prishtinë e jo në Beograd

Vullneti i bashkatdhetarëve tanë po vazhdon të pengohet nga barrierat administrative për investime ne vendin tonë. Kështu investimet në fushën e shëndetësisë nga mërgimtarë në vendlindje nuk po lejohen nga Ministria e Shëndetësisë̈ me anë të një Udhëzimi administrativ. Madje, investimet e mantelbardhëve mërgimtarë në vendlindje nuk po shihen si shumë të rëndësishme nga Ministria e Shëndetësisë.

Dr. Besnik Abazi, specialist i psikiatrisë, pronar i Poliklinikës psikiatrike “Rufsteinweg GmbH” në Liestal të kantonit Bazeland të Zvicrës, i cili ka investuar në Kosovë për hapjen e një spitali të kardiokirurgjisë së fëmijëve dhe ka plotësuar të gjitha kriteret, nuk po i lejohet të nisë punën pasi Ministria e Shëndetësisë nuk po ia licencon Klinikës “Italian Medical Group” tre mjekë të specializuar nga Italia.

“Ministria e Shëndetësisë nuk është që neve në mënyrë eksplicite na pengon të ecim më tutje, mirëpo është një udhëzim administrativ nga Ministria e Shëndetësisë 06/2015 në të cilin thuhet: Duhet të jetë dy kardiokirurgë me orar dhe punë të plotë për të dhënë licenca për kardiokirurgji. Këta kardiokirurgë janë të rrallë edhe në Kosovë. Në Kosovë për momentin janë 11 kardiokirurgë, 7 prej tyre punojnë në QKUK, 2 janë në Spitalin Amerikan, ndërsa 2 të tjera janë me projektet e tyre private. Kështu që ne në pamundësi që të marrim kardiokirurg nga QKUK-ja që do të shkaktonte çrregullim të planit të operimit, jemi detyruar që me kardiokirurgët Italian të fillojmë punën dhe operacionet për fëmijët tanë. Kështu që Udhëzimi administrative I Ministrisë së Shëndetësisë thotë që duhet të jenë dy kardiokirurgë me orar të plotë të punës. Ne i kemi kardiokirurgët, por Ligji e lejon që 120 ditë pune të jenë ata në Kosovë. Ne i kemi tre kardiokirurg, tre mjek të licencuar nga Ministria e Arsimit, mirëpo jo nga edhe nga Ministria e Shëndetësisë”, thekson Abazi.  

Për të bërë realitet investimet në fushën e shëndetësisë, udhëheqësit e kompanisë “Italian Medical Group sh.p.k” nuk kanë qëndruar duarkryq. Kanë takuar edhe zëvendësministren e Shëndetësisë Dafina Gexha-Bunjaku, por, kjo e fundit ka pasur një përgjigje të prerë për ta, që nuk ka qenë e mirëpritur nga përfaqësuesja e kësaj kompania, Angelica Korica.

“Përfaqësuesja e firmës time, Angelica Korica ka pasur takim me zëvendësministren e shëndetësisë më 25 qershor të këtij viti, dhe në atë takim përfaqësuesja e firmës tonë ka hasur në një pengesë që, I është thënë nga Ministria, se “ne më shumë e ndihmojmë sektorin shtetëror se sa sektorin privat”. Kjo për mua është një qasje e gabuar dhe për këtë arsye po tentojmë që në mënyra dhe metoda të tjera që të vijmë në një gjuhë të përbashkët dhe të marrim një leje pune. [pastaj të fillojmë edhe t’i operojmë fëmijët tanë që janë duke pritur”, thotë ai.


Abazi mjek i specializuar për psikiatri dhe psikoterapi jeton dhe vepron qe 30 vjet në Zvicër e që ka financiar rreth gjysmë milioni euro për këtë projekt, planifikon më 23 korrik të këtij muaj ta hapë Klinikën me standarde evropiane në Prishtinë dhe në gusht të startojnë me operacione.

“Investimet të gjitha janë kryer për atë arsye ne e kemi në plan që më 23 korrik projektin tonë ta hapim, ta prezantojmë dhe pastaj të fillojmë në qoftë se lejojnë dhe të hiqen të gjitha këto pengesa administrative më fillim të gushtit të fillojmë edhe me operimet e fëmijëve tanë. Për momentin janë 170 fëmijë që presin për operim në zemër, në Kosovë. Këta fëmijë tani për tani dërgohen në Beograd. Dhe nëse nuk hapet ky repart i kardiokirurgjisë për fëmijë në Kosovë, në Prishtinë, këta fëmijë do të vazhdohet të dërgohen në Beograd dhe ne do t’i bëjmë shërbime financiare Beogradit, kur kemi mundësi që në Prishtinë t’i kryejmë këto shërbime, të cilat do të ishin më të volitshme se sa në Beograd. Mirëpo edhe për familjarët, për prindërit e atyre fëmijëve të sëmurë është më e vështirë që të shkojnë jashtë shtetit të Kosovës, si në Beograd, Stamboll, apo diku në Itali. Për këtë arsye ky projekt duhet të ndihmohet dhe t’i jepet rrugë që të realizohet pasi që është edhe interes kombëtar”, thotë doktor Abazi. 

Abazi që synon të krijojë edhe vende të reja pune me këtë projekt, mbetet me shpresë që kërkesa e tij drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë në mars dhe në fillim të korrikut të realizohet.

Ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se si për profesionistët vendor, ashtu edhe për ata të huaj ekzistojnë kushtet e përcaktuara ligjore të cilat duhet të plotësohen për dhënien e licencës për ushtrim të veprimtarisë profesionale.

“Çdo kush që i plotëson këto kritere merr licencë apo leje pune, në të kundërtën, nuk ka mundësi të ofrohen shërbime në kundërshtim me Ligjet dhe aktet nënligjore që përcaktojnë se çfarë kushte duhet të plotësojnë të huajt që duan të ofrojnë shërbime në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Më poshtë sjellim edhe kërkesën e Abazit drejtuar MSh-së:

Lexo edhe

Video