Ministri Peci: Sektori i vreshtarisë do ta ketë mbështetjen e vazhdueshme

Ministri Peci: Sektori i vreshtarisë do ta ketë mbështetjen e vazhdueshme

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka marrë pjesë në simpoziumin shkencor “Vreshtaria dhe Verëtaria në hapësirën mbarëshqiptare”, që është mbajtur sot në Tiranë nën organizimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në fjalimin e tij, ministri Faton Peci vlerësoi se simpoziumet e tilla janë tejet të rëndësishme në rrugën e konsolidimit të këtij sektori, si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën. Me këtë rast, ai i ka njoftuar të pranishmit për historinë e zhvillimit të këtij sektori në Kosovë.

“Kultivimi i hardhisë dhe përpunimi i rrushit në Kosovë daton prej më shumë se 2000 viteve e këtë lashtësi e dëshmojnë të dhënat historike, toponimet e ndryshme dhe zbulimet arkeologjike. Me qëllim të krijimit të politikave të duhura janë më se të nevojshme simpoziume të tilla të cilat kanë për qëllim që t’i asistojnë politikë-bërjes, ruajtjes dhe zhvillimit të vreshtave në të dy vendet”, ka treguar ministri Peci, duke shtuar se Kosova ka bodrume, vera e të cilëve i tejkalon vendet e rajonit dhe Evropës për nga cilësia.

Duke treguar për historinë e zhvillimit të këtij sektori, ministri ka treguar se sektori i vreshtarisë dhe verëtarisë është tejet i rëndësishëm për zhvillim të potencialit ekonomik të Kosovës.


Për të zhvilluar dhe avancuar edhe më tej këtë sektor, ai tha se nevojitet përkrahje financiare, reforma të vazhdueshme dhe politika të përshtatshme bujqësore të adresuara qartë në plane dhe strategji adekuate.

“Sektori i vreshtarisë dhe verëtarisë do ta kenë mbështetjen e vazhdueshme përmes politikave të duhura dhe programeve të avancuara që për qëllim kanë konsolidimin e këtij sektori në Kosovë”, tha Ministri Faton Peci.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Bujqësisë, ministri Peci gjatë qëndrimit në Tiranë u prit nga rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku me te cilin diskutuan për rëndësinë e bashkëpunimit të nivelit akademik dhe përfshirjen e Universiteteve të Kosovës dhe Shqipërisë në zhvillimin e elaborateve që përfshijnë analiza të thukëta të sektorit të bujqësisë, vlerësimin dhe analizën e tokës bujqësore si dhe impaktin pozitiv të shkencës në bujqësi.

Në këtë simpozium pjesëmarrës ishin akademikë, studiues, profesorë e njohës të sektorit të bujqësisë.

Lexo edhe

Video

error: