Ministri Latifi po merr pjesë në Kongresin Botëror të Kirurgëve në Vjenë

Ministri Latifi po merr pjesë në Kongresin Botëror të Kirurgëve në Vjenë

Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi po merr pjesë në Kongresin Botëror të Kirurgëve, i cili po mbahet në Vjenë të Austrisë. Në ditën e parë të kongresit, gjatë sesionit “menaxhimi i katastrofave”, Latifi prezantoi një punim i cili ishte përzgjedhur në mesin e tre punimeve më të mira të publikuara në pesë vitet e fundit.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në punimin e tij ai ka prezantuar konceptin e ndërtimit të Qendrave të Traumës dhe të Manaxhimit të Katastrofave, me përfshirje të Telemjekësisë.

Gjatë prezantimit, ai ka theksuar nevojën e bashkëpunimit të vendeve të zhvilluara, me vendet që kanë nevojë për të zhvilluar fushën e studimeve shkencore, duke veçuar Republikën e Kosovës, si një vend që duhet të përkrahet në këtë aspekt.


Me që, Kosova, sipas Ministrit Latifi është në vendin e gjashtë nga fundi i renditjes në mesin e vendeve të botës për punime shkencore të botuara në revista mjekësore, ai përmendi nevojën urgjente për bashkëpunim me vendet e zhvilluara me qëllim që të nxitet e zhvillohet më shumë kjo lëmi në Kosovë.

Nga viti 1998-2019, 46 për qind të punimeve të publikuara nga Kosova, ose nuk e kanë autorin e parë të punimit nga Kosova, ose nuk kanë fare autor nga Kosova”, theksoi Ministri Latifi.

Latifi, ka takuar Presidentin lokal të Kongresit, Prof. Dr. Albert Tuchmann, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin dhe mbështetjen për sistemin shëndetësor të Kosovës në fushën e hulumtimeve shkencore.

Lexo edhe

Video