Ministri Faton Peci: Përmes politikave të duhura avancojmë bujqësinë në Kosovë

Ministri Faton Peci: Përmes politikave të duhura avancojmë bujqësinë në Kosovë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci deklaroi sot në eventin e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane me temën “Politikat Shtetërore në Mbështetje të Bujqësisë”, se përmes politikave të duhura do të avancojnë sektorin e bujqësisë në vend.

Ministri Peci ka theksuar se gjatë këtij mandati do të angazhohen të krijojnë kushte të favorshme për zhvillimin e  veprimtarive bujqësore, me qëllim të avancimit të mëtutjeshëm të sektorit të bujqësisë, si një prioritet i së ardhmes për zhvillim ekonomik të vendit.

“Mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë përmes programeve dhe politikave mbështetëse për fermerët dhe prodhuesit vendorë do të vazhdojë, duke i kontribuar rritjes së prodhimit dhe cilësisë për të gjitha prodhimet vendore. Po ashtu, gjatë këtij viti kam ndërmarrë veprime konkrete për të adresuar rekomandimet e Auditorit edhe sa i përket hartimit të kritereve dhe planifikimit të buxhetit për Programin  e Pagesave Direkte”, ka thënë ministri Peci.


Po ashtu, ai ka treguar se përmes programeve mbështetëse po krijon mundësi të reja përkrahëse për fermerët aplikues.

“Në kuadër të programit mbështetës të këtij viti kemi rritur përkrahjen për perimtarë, si dhe kemi ndërmarrë veprimet që orientojnë subvencionimin mbi bazën e rendimentit. Ndërkaq, risi tjetër e këtij programi është edhe mbulimi i Primës së Sigurimit në vlerën prej 75 për qind për 6 kultura bujqësore për fermerët që vendosin t’i sigurojnë kulturat bujqësore”, tha ministri Peci.

Ndryshe, gjatë këtij bashkëbisedimi të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, pjesëmarrës ishin përfaqësues të agrobizneseve vendore, si dhe konsulent të sektorit të bujqësisë.

Lexo edhe

Video

error: