Ministri Aliu-Haradinajt: Takimi në Beograd nuk ka qene i lehtë

Ministri Aliu-Haradinajt: Takimi në Beograd nuk ka qene i lehtë

Pas kritikave të vazhdueshme të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj për ri-kthimin në punë të Nexhat Krasniqit në Ministrinë e Infrastrukturës, është përgjigjur ministri i këtij dikasteri, Liburn Aliu, i cili thotë se nuk është në kompetencën e tij ta shkarkojë këtë zyrtarë të prokurimit.

Ministri Aliu është përgjigjur edhe për rrugën Deçan- Plavë, e pastaj, edhe për vizitën e tij në Beograd, ku tha se nuk ka qenë takim i lehtë. Derisa, lideri i AAK-së shprehi dyshimet se ministri në fjalë po fsheh diçka nga ai takim.

“I nderuar deputet Haradainaj i ngritët disa çështje, u ngrit çështja e Nexhat Krasniqit. Nexhat Krasniqin e ka kthyer organi më i lartë në vendin e tij të punës para se të vijë unë ministër. Ju po thoni pse s’po largoni atë prej pune, unë nuk largoj njerëz prej pune, sepse jam ministër…  Po që se unë përzihem në këtë çështje, unë bëj shkelje ligjore dhe e godas së pari shtetin e Kosovës… Për sa i përket dekarimit tim në Beograd ka të bëj me linjën hekurudhore Prishtinë-Durrës, kjo është jetike për Kosovën që të lidhet me linjë hekurudhore me Durrësin… Pse na keni mashtruar për rrugën Deçan-Plavë, kur unë sot s’jam duke e gjetur asnjë letër. Ju keni pasur një takim me ministrin e Malit të Zi, po, për Rozhajë, po, edhe është përmendur tuneli. Tregoni për rrugën Deçan-Plavë, sepse keni fol vazhdimisht, ku janë letrat, qitma letrën po e realizojmë projektin”, theksoi ai.

Kryetari i AAK-së sërish ka replikuar ndaj ministrit Aliu, duke thënë se nuk mori përgjigje për vizitën e tij në Beograd.


Haradinaj ka thënë se ministri Aliu është duke fshehur diçka nga vizita e tij në Beograd.

“Po më duhet me falënderua që pas 6 muajve ia përmendi emrin Nexhatit, unë nuk e njoh, ndoshta është njeri i mirë, i kërkoj falje sot. Por, e di, i nderuar ministër, Liburn, ministër i Durmishit, aty e ke afër kolegën Albulena Haxhiun, pati kohë me shkua në fushatë për burrin e vet në Malishevë, por ende nuk e përmendi emrin e Nexhatit. Edhe ministri Brendshëm Sfeçla, krejt mundësitë i ka pasur, por ende nuk e ka përmend emrin. Arsyesja pse ua përmendi këtë emër, lidhet pikërisht me ju të tre. Ju ma keni kërkuar një llogari kur kam qenë kryetar qeverie, po e ushtroj funksionin e deputetit, e po ju pyes, e pyetja edhe kryeministrin e juaj. Unë e pyeta qysh ke kalua në Beograd për hekurudhë, mi bëri nja 6 kundër pyetje Liburni. Pse? Kur kam pyetur disa here Liburnin për rrugën e Plavës, kurrë s’më ka dhënë përgjigje, e pse sot ma dha. Pra, fshehi qysh ka kaluar në Beograd. Unë ta kam hapur këtë rrugën e Plavës, e dashur Liburn kur të punosh brenda territorit tuaj, s’ke nevojë për leje nga shteti fqinjë, këtë mësoje një herë. Kur duash me lidhë rrugën me atë shtet, vetëm atëherë e bën një kërkesë”, tha ai.

Ndërsa, në fund për këtë çështje, Aliu tha se në Beograd nuk ka qenë e lehtë.

“Në Beograd, nuk ka qenë lehtë, sepse ju keni bërë marrëveshje për Nish, keni bërë marrëveshje për Leshak, i keni tri marrëveshje, asnjë me Shqipërinë. Mua më është dashur më ua bërë të qartë, që këto nuk bëhen pa e bërë këtë të Durrësit. Prandaj, nuk ka qenë e lehtë… Linja Durrës – Prishtinë, vendin ku është dashur me u fol më së miri e ka pas pikërisht Beogradin, në gjuhën shqipe”, theksoi Aliu.

Lexo edhe

Video