Ministrat e LDK-së  në krye të detyrës edhe pas rrëzimit të qeverisë

Ministrat e LDK-së  në krye të detyrës edhe pas rrëzimit të qeverisë

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu thotë se pavarësisht vendimit të Kuvendit për rrëzim të ekzekutivit, puna po vazhdon me intensitet të lartë.

Ai thotë se të gjithë ministrat janë në krye të detyrës, përfshirë ata nga Lidhja Demokratike e Kosovës, partneri i koalicionit që inicioi mocion mosbesimi për rrëzimin e Kurtit.

Kryeziu tha për KosovaPress, se të gjithë ministrat kanë përgjegjësi specifike në raport me menaxhimin e situatës së krijuar me përhapjen e koronavirusit të ri Covid-19.

Ai pret që ministrat e LDK-së të vazhdojnë punën e tyre, njësoj si ata të Lëvizjes Vetëvendosje, deri në një vendim tjetër të Kuvendit.

Marrë parasysh gjendjen aktuale me emergjencë shëndetësore, shkak përhapja e koronavirusit, Kryeziu thotë se ministrat po kryejnë punën e tyre me profesionalizëm, pavarësisht rrëzimit të qeverisë.

Për këtë, dëshmi thotë se është fillimi sot i shpërndarjes së formave të lejeve të veçanta për qarkullim, ku punëtorëve iu lejohet të lëvizin lirshëm.


Pasi Kurti shkarkoi mbrëmë vartësin e tij, Avdullah Hotin e LDK-së, që mbante postin e zëvendësministrit të parë, sot gjatë ditës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka shkruar se nuk do t’i tërheqë njëanshëm ministrat dhe zëvendësministrat e kësaj partie nga detyrat e tyre në qeverinë në dorëheqje.

Qeveria e Kosovës në detyrë mund të punojë në çështje të cilat janë tashmë në proces, deri në zgjedhjen e kabinetit të ri, ndërkohë nuk ka të drejtë të marrë vendime të cilat do të krijonin obligime për qeverinë e re.

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se pa humbur kohë do të ftojë për konsultime liderët e të gjitha partive për krijimin e qeverisë së re.

 

 

 

 

Lexo edhe

error: