Lidhur me zhvillimet në ndërmarrjen “Trepça”, ka reaguar Qeveria e Kosovës. Kjo e fundit shprehet se është e përkushtuar për të përkrahur ndërmarrjen “Trepça” si dhe të gjitha ndërmarrjet tjera publike. Megjithatë, nuk ka përmend konkretisht edhe çështjen e mos realizimit të pagave, ose zgjidhjen e kërkesave të minatorëve.
Sipas Qeverisë, Ministria e Ekonomisë ka përkrahur ndërmarrjen me subvencione në vlerë prej 3.3 milionë euro, që është përtej shumës së planifikuar për të gjithë vitin.
Më tej thuhet se: “Ne presim që të adresohen në mënyrë të qartë, efektive dhe të qëndrueshme sfidat e ndërmarrjes”.
Sipas Qeverisë, përkrahja nënkupton mbështetje për zhvillim dhe rritje të potencialit të plotë ekonomik.
“Pavarësisht mbështetjes që Qeveria i ka dhënë gjatë gjysmës së parë të këtij viti, ndërmarrja Trepça Sh.A. ka operuar me humbje si rezultat i ngecjeve në prodhim dhe të hyrave të pamjaftueshme.Në veçanti, Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga ndërmarrja që të sigurojë rritje të prodhimit e të hyrave dhe ulje te shpenzimeve, si mënyrën e vetme për të arritur stabilizim të gjendjes operative dhe financiare të ndërmarrjes dhe kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme”, thuhet në komunikatë.
Më tej thuhet se Qeveria e Kosovës mbetet në komunikim të vazhdueshëm me Bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes. Sigurojmë se të gjitha palët janë të angazhuara maksimalisht për një zgjidhje afatgjatë, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë e tyre.
“Ne jemi të bindur se me një bashkëpunim të ngushtë dhe përkushtim të përbashkët, mund të arrihen përmirësime të ndjeshme dhe rezultate pozitive për ndërmarrjen Trepça dhe për të gjithë punonjësit e saj. Nuk ekziston asnjë rrugë tjetër përpos punës dhe angazhimit intensiv, rregullit, kontrollit dhe drejtimit të përgjegjshëm të ndërmarrjes për sukses”, thuhet në fund të komunikatës.