Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka deklaruar se Interi mbetet favorit i qartë për titullin në Serie A, pavarësisht fitores së Milanit 1:0 në derbin e zhvilluar në Stadio Giuseppe Meazza.
Pas ndeshjes, Allegri theksoi se skuadra e tij kishte përgatitur në stërvitje situatën që çoi te goli vendimtar i shënuar nga Pervis Estupiñán. “Luis Henrique është një lojtar shumë i mirë, por ne e kishim përgatitur atë situatë në stërvitje”, tha Allegri, duke shtuar se asistimi i Youssouf Fofana ishte vendimtar për realizimin e golit të vetëm të ndeshjes.
Allegri shtoi se objektivi kryesor i Milanit mbetet sigurimi i një vendi në Ligën e Kampionëve. “Ne punuam shtatë muaj për t’u siguruar që në mars të jemi në formën më të mirë, sepse atëherë luhen ndeshjet më të rëndësishme të sezonit”, tha ai, duke theksuar se fitorja në derbi i jep skuadrës vetëm një shtysë morale për vazhdimin e kampionatit.
KosovaPress