Analisti Milaim Zeka në një emision të Top Channel ka folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, pas rënies së Qeverisë Kurti.
Pasi Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka pezulluar dekretin e presidentit Hashim Thaçi për emrin e mandatarit, ka shpërthyer një debat i madh se kush duhet ta mandatojë kryeministrin e ri të Kosovës, Avdullah Hoti, Albin Kurti apo presidenti Thaçi.
Zeka thotë se vendimi përfundimtar i Kushtetueses në lidhje me kryeministrin e ri do të merret pas 29 majit dhe pas kësaj date qeverinë e re të Kosovës do ta udhëheqë Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me mocionin e së cilës u rrëzua partneri i koalicionit qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje.
“Gjykata Kushtetuese nuk i ka dhënë të drejtë Albin Kurtit. Gjykata Kushtetuese vetëm ka pezulluar për disa ditë mandatin e presidentit. Vendimi përfundimtar do të merret pas datës 29. Pres që Gjykata Kushtetuese do të vendosë në bazë të nenit nr. 85 pika e 5, të Kushtetutës së Kosovës. Unë si analist jam i bindur 100% që do të kemi Qeverinë Hoti pas datës 29 maj”, ka thënë ish-deputeti Zeka.