Mësimdhënësit e komuniteteve në Mitrovicë trajnohen për edukimin medial
Lajme
Lexohet për: 4 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Me mbështetjen financiare të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Agjencia e Lajmeve KosovaPress, së bashku me organizatën joqeveritare “Young Community Leaders Center” (YCLC), në kuadër të projektit  ‘Edukimi medial për mësimdhënësit dhe nxënësit e të rinjtë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian’, kanë organizuar sot në Mitrovicë trajnim rreth ngritjes së vetëdijes kundër dezinformimit dhe parandalimit të dezinformatave në komunitetet e tyre.

Gjatë këtij trajnimi, ku u prezantuan shembuj të ndryshëm që ndërlidhen me temën, u diskutuan edhe mënyrat e mbrojtjes mbi rrezikun e lajmeve të rreme dhe dezinformatat e përhapura nëpër platformat e ndryshme të internetit.

Linda Baleta, trajnere në këtë projekt, ka bërë të ditur për KosovaPress, se qëllimi i këtij trajnimi është të shpërndahen njohuri dhe teknika të edukimit mediatik, në mënyrë që të ngritet vetëdija për identifikimin e lajmeve të rreme.

Sipas saj, tema që trajtohet sot është një shqetësim universal që prek të gjithë pa dallim, andaj në këtë trajnim përveç komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, marrin pjesë edhe mësimdhënës të komuniteteve tjera.

“Vetë titulli i trajnimit tregon qëllimin që ka, pra të shpërndahen njohuri dhe teknika të edukimit mediatik se si të gjithë të vetëdijesohemi për identifikimin e lajmeve të rreme, kategorive të ndryshme që bien nën këtë ombrellë të lajmeve të rreme. Mirëpo, kjo nuk është temë që prekë vetëm këto komunitete, përkundrazi është një shqetësim universal, andaj në këtë trajnim marrin pjesë edhe mësimdhënës dhe përfaqësues të shoqërisë civile edhe nga komunitetet tjera, në mënyrë që sa më shumë të mundemi të ndikojmë në shoqërinë tonë për të qenë më syçelë, më të vetëdijesuar për lajmet e rreme, dezinformimin, keqinformimin dhe rreziqet që na vinë nga to, dhe cilat janë teknikat, si psh të menduarit kritik, që të mund të mbrohemi nga rreziku që na vjen”, ka thënë Baleta.

Jasmina Nikshiq-Avdyli, pjesëmarrëse në këtë trajnim nga komuniteti boshnjak, sqaroi se seminaret e tilla janë të mirëseardhura për të gjithë.

“Sa i përket seminareve të tilla, natyrisht secili prej tyre është i mirëseardhur, sepse marrim informacione të shumta, normalisht shoqërohemi edhe me profile tjera që janë këtu, dhe jo vetëm neve, por mbarë shoqërisë që jetojmë në Kosovë, në qytetin tonë, shkollën tonë dhe në atë që na rrethon” , theksoi Avdyli.

Edhe Ardijan Krasniqi, pjesëmarrës nga komuniteti egjiptian, tha se punëtoritë e tilla janë shumë të qëlluara dhe duhet të mbahen më shpesh.

“Besoj se është punëtori shumë e qëlluar dhe punëtori të këtij formati duhet të mbahen sa më shpesh”, tha ai.

Faruk Avdiu, arsimtar i lëndës së Edukatës Qytetare në shkollën “Bedri Gjina”, në Mitrovicë, potencoi se gjatë këtij trajnimi kanë marrë informacione me interes për qytetarët, ndërsa theksoi nevojën që në punëtori të tilla të marrin pjesë edhe nxënësit.

“Gjatë kësaj punëtorie ne morëm informacione të cilat ishin shumë me interes për qytetarët, sidomos tani që jemi duke jetuar në kohën e mediave ku po kemi nganjëherë edhe informacione jo të sakta…Këto punëtori kishte me qenë mirë që të jenë më të shpeshta dhe me pas pjesëmarrës edhe nxënës sepse fokusi ynë është tek nxënësit, që ata mos të bien pre e këtyre dezinformatave që jepen përmes portaleve”, tha ai.

Projekti ‘Edukimi medial për mësimdhënësit dhe nxënësit e të rinjtë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian’,  do të zgjasë shtatë muaj dhe aktivitetet e tij ndahen në dy faza. Faza e parë targeton mësimdhënësit e shkollave fillore nga klasa gjashtë deri në të nëntën dhe faza e dytë e aktiviteteve të projektit targeton profesorët dhe nxënësit e nivelit të mesëm shkollor nga klasa dhjetë deri dymbëdhjetë. 

Trajnimi i sotëm është i dyti me radhë pas atij në Fushë Kosovë dhe do të vazhdojë të mbahet edhe në qytetin e Prizrenit dhe Gjakovës.

Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për mësimdhënësit, nxënësit dhe aktivistët e shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024