MEPJ: Shqipëri-Itali, një hap afër finalizimit të marrëveshjes së pensioneve

MEPJ: Shqipëri-Itali, një hap afër finalizimit të marrëveshjes së pensioneve

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi sot se Shqipëria dhe Italia janë një hap afër finalizimit të marrëveshjes së pensioneve.

MEPJ bëri të ditur se, u mbajt sot në Tiranë, takimi i parë i Komisionit të përbashkët Shqipëri-Itali, për njohjen e sistemit të pensioneve dhe të sigurimeve shoqërore dhe arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve.


“Falë angazhimit të qeverisë dhe punës së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, jemi një hap afër finalizimit të kësaj marrëveshjeje e cila ka në thelb bashkimin e kontributeve shoqërore për shtetasit që kanë punuar në të dyja vendet”, theksoi MEPJ nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Prej datës 25-27 korrik po zhvillon një vizitë në Tiranë, senatori Tommaso Nannicini, kryetar i Komisionit parlamentar për kontrollin e veprimtarive të institucioneve që menaxhojnë format e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe asistencës sociale, i cili do të kryesojë delegacionin e përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe të Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore, njoftoi sot Ambasada e Italisë në Tiranë.

Delegacioni do të negociojë me palën shqiptare marrëveshjen mbi njohjen e sistemeve të pensioneve dhe të sigurimeve shoqërore ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, me qëllim arritjen e bashkimit të kontributeve shoqërore për ata shtetas që kanë punuar në të dy vendet./Atsh

Lexo edhe

Video