Memoriali kushtuar daljes së parë publike të UÇK-së, fakt i rëndësishëm historik
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 ditë më parë
Linku u kopjua

Në fshatin Llaushë të Skënderajt, aty ku doli për herë të parë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), sot më 28 nëntor në nder të kësaj dite është përuruar memoriali që mbanë ngjyrën ar, logon e UÇK-së dhe mbishkrimin “Dalja e parë publike e UCK-së”.

Para 27 viteve, në varrimin e mësuesit Halit Geci, i cili u vra nga forcat serbe, u lexua deklarata e UÇK-së nga Rexhep Selimi, i cili në krah kishte edhe dy ushtarët e tjerë, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi.

Në ceremoninë e përurimit të memorialit e organizuar nga komuna e Skenderajt morën pjesë qindra qytetarë, ish-ushtarë të UÇK-së, familje të dëshmoreve, veteranë e invalid të luftës së fundit në Kosovë, por edhe figura të tjera politike.

Nismëtari i iniciativës për ndërtimin e  memorialit dhe njëkohësisht ish-nxënësi i Halit Gecit, Arbër Geci tregoi historikun e daljes publike për herë të UÇK-së, konfrontimet mes forcave serbe në Vajnikë e mes maleve të Llaushës.

Arbër Geci, djali i ish-komandantit të UÇK-së Jetullah Geci, u shpreh se vrasja e mësuesit Halit ishte një dhimbje për të gjithë, porse u vlerësua moment ideal për të treguar se UÇK-ja ishte prezente, e fortë dhe vepronte në çdo pjesë të Kosovës.

Mes tjerash, Geci potencoi se ky memorial dhe shumë të tjerë duhet të trajtohen si vende të shenjta, përmes së cilave përkujtohet sakrifica e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura tha se shfaqja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila nuk duroi padrejtësitë, vrasjet e persekutimet u bë në ditën më të rëndësishme për popullin shqiptar, 28 Nëntor.

Nura u shpreh i lumtur për inaugurimin e memorialit, ngase sipas tij kjo vë në pah ruajtjen e vlerave të luftës çlirimtare në momentin kulmor të 27 viteve më parë, daljen publike për herë të parë të UÇK-së.

Derisa kujtoi komandantin legjendar, Adem Jashari, tre luftëtarët që shpallën publikisht UÇK-në dhe ata që dhanë kontribut në luftën e fundit, Nura tha se ky moment do të shërbejë si fakt historik i lavdisë dhe krenarisë së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Ndërkaq, të pranishëm ishin kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, nënkryetarja Vlora Citaku, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe nënkryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku dhe figura të tjera politike. Ceremonia u përcoll me këngë patriotike e valle./Z.Zeneli/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

https://kosovapress.com/nje-pike-uje-sikur-tia-kisha-dhene-rrefimi-i-bashkeshortes-se-halit-gecit

https://kosovapress.com/perurohet-memoriali-kushtuar-daljes-se-pare-publike-te-uck-se

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024