Memli Krasniqi mirëpret fillimin e vitit të ri shkollor: Kërkesat e mësimdhënësve të plotësohen sa më shpejt

Memli Krasniqi mirëpret fillimin e vitit të ri shkollor: Kërkesat e mësimdhënësve të plotësohen sa më shpejt

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi ka mirëpritur fillimin e vitit të ri shkollor më 3 tetor, pas vendimit të SBASHK-ut për suspendimin e grevës.

Ai në një postim në Facebook ka shprehur shqetësimin e tij mbi trajtimin që Qeveria e Kosovës po ua bën mësimdhënësve, teksa ka kërkuar plotësimin sa më të shpejtë të kërkesave të tyre.

“Në kohën kur nxënësit do të shkojnë kokëlartë në shkollë, Qeveria e Kosovës, përmes sulmeve të shumta, për herë të parë bëri që mësimdhënësit të fillojnë vitin shkollor kokulur, të fyer e të lënduar. Megjithatë, duhet ta rikujtojmë se, përtej propagandës, mësimdhënësit mbeten një ndër kategoritë më të respektuara të shoqërisë sonë. Por, ata meritojnë edhe trajtim të drejtë që e ruan dinjitetin e tyre. Prandaj, kërkesat e tyre, me apo pa grevë, duhet të adresohen dhe të plotësohen sa më shpejt”, ka shkruar ai.


SBASHK-u të shtunën ka dalë me vendim për suspendimin e grevës deri në janar, duke thënë se vazhdon të qëndrojë prapa kërkesës për 100 euro shtesë deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave.

Po ashtu është bërë e ditur se orët e humbura nuk do të kompensohen. Ndërsa ndryshim të kalendarit të Vitit Shkollor ka paralajmëruar ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, duke thënë se të hënën, kur edhe nis viti i ri shkollor, do të formohet grupi punues për rishikimin e udhëzimit administrativ.

Kujtojmë, greva në arsim ka zgjatur pesë javë dhe ajo u ndërpre pasi SBASHK-u mori mendimin e anëtarësisë së saj.

Lexo edhe

Video