Mehaj: ShBA po shqyrton propozimin e Kosovës për krijimin e bazës së përhershme ushtarake

Pas vizitës disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës(ShBA), ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se ka zhvilluar takime të rëndësishme me autoritete të larta të vendimmarrjes dhe politikë-bërjes amerikane. Armend Mehaj ka deklaruar se Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka konfirmuar  përkrahjen për Kosovën, si partnere dhe eksportuese e paqes në nivelin global.

Kështu u shpreh ai pas vizitës së parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova ka ofruar mundësinë që të krijohet një bazë të përhershme ushtarake amerikane në vend. Ky propozim është dhënë nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili në Pentagon zhvilloi takim me nënsekretarin e Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Colin Kahl.

Ministri Mehaj deklaroi se kjo po shqyrtohet nga ShBA-të dhe se nuk dihet për vendin ku do të krijohet baza ushtarake.


“Ofertën ne e kemi ofruar jo vetëm si ministër i Mbrojtjes, por kam qenë në koordinim me pjesët tjera të qeverisë dhe presidencës. Kjo ofertë është nga ana jonë. Atë ofertë përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ata do e shqyrtojnë ofertën dhe do të kemi diskutime më të afërta[…]Ne jemi në koordinim e sipër këtu, kur të kemi informata më të thella nga dy palët do të ju informojmë”,
ka deklaruar ai.

Mehaj ka treguar edhe nëse Forca e Sigurisë së Kosovës do të shtrihet në pjesën veriore pa kërkuar leje nga NATO.

“Kemi diskutuar sa i përket sa i përket çështjes gjeopolitike të veriut. Por, siç e dini ju operacionet kohën e fundit që janë zhvilluar janë nga Ministria e Punëve të Brendshme, këtu i ka kryer operacionet policia. Çështja e veriut është një çështje që na përket krejt shtetit. Në të ardhmen ne jemi në diskutime me palën e NATO-s se qysh do t’i përmbahemi, por ne e kemi një marrëveshje që duhet t’i përmbahemi dhe këtu jemi në koordinim edhe me NATO-n edhe me ShBA-të, por edhe me aleatët tanë”, ka theksuar Mehaj para gazetarëve. 


Pas vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mehaj në konferencë para mediave, ka thënë se kjo është vizita e parë e ministrit të Kosovës në këtë vend.Ai tha se është pritur dhe ka zhvilluar takime përmbajtësore me autoritetet më të larta të vendimmarrjes dhe politikë-bërjes amerikane.

Ai ka theksuar se është konfirmuar përkrahja për Kosovën nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes.

“Me kënaqësi mund të ju informoj se Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, na konfirmoi fuqishëm përkrahjen për Kosovën, si partnere dhe eksportuese e paqes në nivelin global. Si dëshmi që potencuan vazhdimisht, ishin: bashkë- zbarkimi në misionin paqeruajtës përkrah ushtrisë amerikane, stërvitja e forcave amerikane me aleatë, siç e kemi pasur“ Defender-Europe 21”, që ka marrë pjesë me 330 pjesëtarë”, ka deklaruar Mehaj.

Dëshmi tjetër, siç tha Mehaj, është edhe mbështetja  në operacionin humanitar për akomodimin e refugjatëve afganë, në kuadër të operacionit të NATO-s, të udhëhequr nga ShBA.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka hapur konkursin për rekrutimin e mbi 800 pjesëtarëve të Ushtrisë së Kosovës.

“Sot zyrtarisht shpallim të hapur konkursin për pranimin e 840 ushtarëve të rinj në FSK. Ky është konkursi për pranimin e numrit më të madh të ushtarëve në FSK deri më tani. Njoftoj të gjithë të rinjtë e të rejat e vendit tonë, të të gjitha komuniteteve pa dallim, që dëshirojnë të jenë pjesëtarë të FSK-së, që të na bashkohen për shërbim ndaj vendit dhe atdheut. Ministria e Mbrojtjes, të gjithë të interesuarve, ju garanton proces të drejtë dhe transparentë. Do të zbatohen plotësisht procedurat dhe kriteret ku do të zgjidhen ‘Më të mirët prej më të mirëve’, ka njoftuar ai.  

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se janë dakorduar për veprime konkrete për mbështetje për anëtarësim në Kartën e Adriatikut –SHBA (A5) dhe programin e Partneritetit për Paqe, avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes kibernetike dhe rritjen e pjesëmarrjes në ushtrime dhe misione të përbashkëta ndërmjet Ushtrisë Amerikane dhe FSK-së.

Lexo edhe

Video

error: